Ungjilli sipas Gjonit 17
1 Këto gjëra i foli Jezusi dhe, si ngriti sytë drejt qiellit, tha: "O Atë, ka ardhur ora; përlëvdoje Birin tënd, që edhe Biri të të përlëvdojë ty,
2 ngaqë i dhe atij pushtet mbi çdo mish, me qëllim që, të gjithëve atyre që ia ke dhënë atij, ai t'u japë jetë të përjetshme.
3 Dhe kjo është jeta e përjetshme, që të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin, të cilin dërgove.
4 Unë të përlëvdova mbi tokë, duke e përmbyllur veprën të cilën ma ke dhënë që ta bëj.
5 Dhe tani, më përlëvdo ti, o Atë, pranë vetes sate, me lavdinë që kisha pranë teje përpara se bota të ishte.
6 Unë ua shfaqa emrin tënd njerëzve të cilët m'i dhe prej botës. Të tutë ishin dhe m'i dhe mua; dhe ata e kanë mbajtur fjalën tënde.
7 Tani ata kanë njohur se të gjitha sa më ke dhënë, janë nga ti;
8 se thëniet të cilat më dhe mua, ua kam dhënë atyre dhe ata i pranuan, dhe njohën vërtet se dola nga ti; dhe besuan se ti më dërgove.
9 Unë po lutem për ta; nuk po lutem për botën, por për ata që më ke dhënë, se të tutë janë.
10 Dhe të gjitha të miat janë të tuat dhe të tuat të miat; dhe unë jam përlëvduar në ta.
11 Dhe unë nuk jam më në botë, mirëpo ata janë në botë dhe unë po vij te ti. O Atë i shenjtë, ruaji ata në emrin tënd, të cilin ma ke dhënë mua, që të jenë një ashtu si ne!
12 Kur isha me ta, unë i ruajta në emrin tënd, të cilin ma ke dhënë mua, dhe i mbrojta; dhe asnjë prej tyre nuk humbi, përveçse biri i humbjes, që të përmbushej Shkrimi.
13 Por tani po vij te ti dhe këto gjëra i flas në botë, me qëllim që ta kenë gëzimin tim të plotësuar në veten e tyre.
14 Unë u kam dhënë atyre fjalën tënde dhe bota i urreu, sepse nuk janë prej botës, ashtu si unë nuk jam prej botës.
15 Nuk po lutem që t'i heqësh prej botës, por që t'i ruash prej të ligut.
16 Ata nuk janë prej botës, ashtu si unë nuk jam prej botës.
17 Shenjtëroji ata në të vërtetën; fjala jote është e vërteta.
18 Ashtu si më dërgove mua në botë, edhe unë i dërgova ata në botë.
19 Dhe unë e shenjtëroj veten time për ta, që të jenë edhe ata të shenjtëruar në të vërtetën.
20 Tani, unë nuk po lutem vetëm për këta, por edhe për ata që do të besojnë në mua nëpërmjet fjalës së këtyre,
21 që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty; që edhe ata të jenë në ne, me qëllim që bota të besojë se ti më dërgove.
22 Dhe unë u kam dhënë atyre lavdinë që ma ke dhënë mua, që të jenë një, ashtu si ne jemi një-
23 unë në ta dhe ti në mua – që të jenë të përsosur në një, me qëllim që bota të njohë se ti më dërgove dhe se i deshe ata ashtu siç më deshe mua.
24 O Atë, për ata që m'i ke dhënë, dëshiroj që, aty ku jam unë, të jenë me mua edhe ata, që të vështrojnë lavdinë time, të cilën ma ke dhënë mua, sepse më deshe përpara themelimit të botës.
25 O Atë i drejtë, edhe pse bota nuk të njohu, prapëseprapë unë të njoha dhe këta njohën se ti më dërgove;
26 dhe unë ua bëra të njohur atyre emrin tënd, dhe do ta bëj të njohur, që dashuria me të cilën më deshe, të jetë në ta dhe unë në ta".
Të gjithë librat
