Ungjilli sipas Gjonit 15
1 "Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është bujku.
2 Çdo shermend në mua që nuk jep fryt, ai e heq; dhe çdo shermend që jep fryt, e pastron, me qëllim që të japë më shumë fryt.
3 Tashmë ju jeni të pastër për shkak të fjalës që ju kam folur.
4 Rrini në mua dhe unë në ju. Ashtu si shermendi nuk mund të japë fryt nga vetvetja, po të mos rrijë në hardhi; kështu as ju, po të mos rrini në mua.
5 Unë jam hardhia, ju shermendet. Ai që rri në mua dhe unë në të, ky jep shumë fryt; sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë.
6 Po të mos rrijë ndokush në mua, hidhet jashtë si shermendi dhe thahet; dhe këta i mbledhin e i hedhin në zjarr, dhe digjen.
7 Po të rrini në mua dhe thëniet e mia të rrinë në ju, çfarëdo që të dëshironi, kërkojeni dhe do t'ju bëhet.
8 Në këtë u përlëvdua Ati im: që ju të jepni shumë fryt dhe të bëheni dishepuj të mi.
9 Ashtu si Ati më deshi mua, edhe unë ju desha ju; rrini në dashurinë time.
10 Po t'i mbani urdhërimet e mia, do të rrini në dashurinë time; ashtu si unë i kam mbajtur urdhërimet e Atit dhe rri në dashurinë e tij.
11 Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të jetë në ju dhe gëzimi juaj të plotësohet".
12 "Ky është urdhërimi im: që ta doni njëri-tjetrin, ashtu siç ju desha unë.
13 Askush nuk ka dashuri më të madhe se kjo: që dikush të japë jetën e vet për miqtë e vet.
14 Ju jeni miqtë e mi po të bëni ato që unë ju urdhëroj.
15 Unë nuk ju them më skllevër, sepse skllavi nuk di çfarë bën zotëria i tij, por ju kam thënë miq, sepse të gjitha ato që dëgjova nga Ati im, jua bëra të njohura juve.
16 Nuk më zgjodhët ju mua, por unë ju zgjodha ju; dhe ju caktova që ju të shkoni dhe të jepni fryt, dhe fryti juaj të mbetet, me qëllim që çfarëdo gjëje që t'i kërkoni Atit në emrin tim, ai t'jua japë.
17 Këto ju urdhëroj: që ta doni njëri-tjetrin".
18 "Nëse bota ju urren, ta dini se më ka urryer mua para jush.
19 Sikur të ishit prej botës, bota do ta donte gjënë e vet; por ngaqë nuk jeni prej botës, porse unë ju zgjodha prej botës, për këtë arsye bota ju urren.
20 Kujtoni fjalën që unë ju thashë: 'Nuk është skllavi më i madh se zotëria i tij'. Nëse mua më përndoqën, edhe ju do t'ju përndjekin; nëse fjalën time e mbajtën, edhe tuajën do ta mbajnë.
21 Por të gjitha këto do t'jua bëjnë për shkak të emrit tim, sepse nuk e njohin atë që më dërgoi.
22 Nëse nuk do të kisha ardhur dhe nuk do t'u kisha folur atyre, nuk do të kishin mëkat; por tani nuk kanë përligjje për mëkatin e tyre.
23 Ai që më urren mua, urren edhe Atin tim.
24 Sikur të mos kisha bërë ndër ta veprat të cilat nuk i bëri asnjë tjetër, nuk do të kishin mëkat; por tani edhe kanë parë, edhe kanë urryer, edhe mua, edhe Atin tim.
25 Por kjo ndodhi që të përmbushej fjala që është shkruar në Ligjin e tyre: 'Më urryen pa shkak'.
26 Kur të vijë Përkrahësi, të cilin unë do t'jua dërgoj nga Ati, Fryma e së vërtetës, i cili del nga Ati, ai do të dëshmojë për mua.
27 Por edhe ju dëshmoni, sepse jeni me mua nga fillimi".
Të gjithë librat
