Ungjilli sipas Gjonit 14
1 "Mos të tronditet zemra juaj! Besoni në Perëndinë, besoni edhe në mua!
2 Në shtëpinë e Atit tim ka shumë ndeja; sikur të mos ishte kështu, do t'jua thosha, sepse po shkoj t'ju përgatis një vend.
3 Dhe po të shkoj e t'ju përgatis një vend, do të vij përsëri dhe do t'ju marr pranë vetes, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.
4 Dhe për ku po shkoj unë, ju e dini udhën".
5 Thomai i tha: "Zot, ne nuk e dimë ku po shkon; si mund ta dimë udhën?".
6 Jezusi i tha: "Unë jam udha dhe e vërteta, dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.
7 Nëse më keni njohur mua, edhe Atin tim do ta njihni; madje, që tani ju e njihni dhe e keni parë".
8 Filipi i tha: "Zot, na e trego Atin dhe na mjafton".
9 Jezusi i tha: "Kaq shumë kohë jam me ju dhe nuk më ke njohur, o Filip? Ai që më ka parë mua, ka parë Atin. Si vallë ti thua: 'Na e trego Atin'?
10 Nuk beson ti se unë jam në Atin dhe Ati është në mua? Thëniet që unë ju flas, nuk i flas nga vetja ime, por Ati që rri në mua, bën veprat e veta.
11 Më besoni se unë jam në Atin dhe Ati në mua; përndryshe besoni për shkak të vetë veprave.
12 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them: ai që beson në mua, do t'i bëjë edhe ai veprat që bëj unë, madje më të mëdha se këto do të bëjë, sepse unë po shkoj tek Ati.
13 Dhe çfarëdo gjëje të kërkoni në emrin tim, këtë do ta bëj, që Ati të përlëvdohet në Birin.
14 Po të më kërkoni gjësend në emrin tim, unë do ta bëj".
15 "Po të më doni, do t'i mbani urdhërimet e mia.
16 E unë do ta lus Atin, dhe ai do t'ju japë një tjetër Përkrahës, që të jetë me ju përjetë,
17 Frymën e së vërtetës, të cilin bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e vëren dhe nuk e njeh. Ju e njihni, sepse rri me ju dhe do të jetë në ju.
18 Nuk do t'ju lë jetimë; do të vij te ju.
19 Ende pak kohë dhe bota nuk do të më vërejë më, por ju do të më vëreni; ngaqë unë jetoj, edhe ju do të jetoni.
20 Në atë ditë ju do të kuptoni se unë jam në Atin tim dhe ju në mua, dhe unë në ju.
21 Ai që ka urdhërimet e mia dhe që i mban, ky është ai që më do; dhe ai që më do, do të duhet nga Ati im; edhe unë do ta dua dhe do t'ia shfaq atij veten time".
22 Juda (jo Iskarioti) i tha: "Zot, çfarë ka ndodhur që do të na e shfaqësh neve veten tënde dhe jo botës?".
23 Jezusi u përgjigj dhe i tha: "Po të më dojë ndokush, do ta mbajë fjalën time; dhe Ati im do ta dojë atë, dhe ne do të vijmë tek ai e do të bëjmë ndejë me të.
24 Ai që nuk më do, nuk i mban fjalët e mia; dhe fjala që dëgjoni, nuk është imja, por e Atit që më dërgoi.
25 Këto gjëra jua kam thënë duke ndenjur me ju.
26 Por Përkrahësi, Fryma e Shenjtë, të cilin do ta dërgojë Ati në emrin tim, ai do t'jua mësojë të gjitha dhe do t'ju sjellë ndërmend të gjitha ato që ju thashë.
27 Paqen po ju lë, paqen time po jua jap. Unë nuk jua jap ashtu siç e jep bota. Mos të tronditet zemra juaj dhe mos të trembet!
28 Ju dëgjuat se unë ju thashë: 'Po shkoj dhe do të vij te ju'. Sikur të më donit, do të gëzoheshit se po shkoj tek Ati, sepse Ati është më i madh se unë.
29 Dhe jua kam thënë tani, përpara se të ndodhë, me qëllim që, kur të ndodhë, të besoni.
30 Nuk do të flas shumë më gjatë me ju, sepse po vjen princi i kësaj bote dhe ai nuk ka asgjë në mua.
31 Por kjo ndodh që bota ta dijë se unë e dua Atin dhe ashtu siç më urdhëroi Ati, kështu bëj. Çohuni, të shkojmë që këtu!".
Të gjithë librat
