Ungjilli sipas Gjonit 12
1 Atëherë Jezusi, gjashtë ditë para Pashkës, erdhi në Betani, aty ku ishte Llazari, të cilin Jezusi e ngjalli prej të vdekurve.
2 Kështu, i bënë një darkë atje dhe Marta shërbente; ndërsa Llazari ishte një prej atyre që ishin shtruar bashkë me të.
3 Atëherë Maria, si mori një libër vaj erëmirë prej nardi të kulluar, shumë të çmuar, vajosi këmbët e Jezusit dhe fshiu me flokët e saj këmbët e tij. Dhe shtëpia u mbush prej aromës së vajit erëmirë.
4 Por Juda Iskarioti, një nga dishepujt e tij, ai që do ta tradhtonte, tha:
5 "Përse ky vaj erëmirë nuk u shit për treqind denarë dhe t'u jepej të varfërve?"
6 (Por këtë e tha jo se vetë merakosej për të varfrit, por se ishte vjedhës dhe, duke pasur kuletën, mbante për vete ato që hidheshin në të).
7 Atëherë Jezusi tha: "Lëre atë! E bëri që ta mbante për ditën e varrimit tim!
8 Se të varfrit i keni gjithmonë me vete, por mua nuk më keni gjithmonë".
9 Atëherë, turma e madhe e judenjve mori vesh se Jezusi ishte atje dhe erdhi jo vetëm për shkak të Jezusit, por edhe që të shikonin Llazarin, të cilin ai e ngjalli prej të vdekurve.
10 Por kryepriftërinjtë vendosën që edhe Llazarin ta vrisnin,
11 sepse për shkak të tij shumë prej judenjve po largoheshin dhe po besonin në Jezusin.
12 Të nesërmen, turma e madhe që erdhi në festë, kur dëgjuan se po vinte Jezusi në Jerusalem,
13 morën degë palmash dhe dolën për ta takuar, dhe thërrisnin: "Hosana! I bekuar është ai që vjen në emër të Zotit, madje Mbreti i Izraelit!".
14 Dhe Jezusi, si gjeti një gomar të ri, u ul mbi të, ashtu siç është shkruar:
15 "Mos u frikëso, bijë e Sionit! Ja, mbreti yt po vjen, ulur mbi një kërriç gomarice".
16 (Këto gjëra nuk i kuptuan më parë dishepujt e tij, por kur Jezusi u përlëvdua, atëherë u kujtuan se këto ishin shkruar për të dhe se këto ia bënë atij.)
17 Kështu, turma që ishte me të kur thirri Llazarin prej varrit dhe e ngjalli prej të vdekurve, dëshmonte për të.
18 Turma i doli para edhe për këtë arsye: se dëgjuan që ai kishte bërë këtë shenjë.
19 Atëherë farisenjtë thanë me njëri-tjetrin: "Vini re se nuk po arrini asgjë! Ja, bota shkoi mbas tij!".
20 Tani, nga ata që po ngjiteshin që të adhuronin në festë, ishin disa helenë.
21 Këta, pra, erdhën pranë Filipit, atij nga Betsaida e Galilesë, dhe e lutnin duke thënë: "Zotëri, duam të shohim Jezusin".
22 Filipi shkoi e i tha Andreas. Andrea dhe Filipi shkuan e i thanë Jezusit.
23 Por Jezusi iu përgjigj atyre duke thënë: "Ka ardhur ora që të përlëvdohet Biri i Njeriut.
24 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them: po të mos vdesë kokrra e grurit që bie në dhé, ajo mbetet e vetme, por po të vdesë, sjell shumë fryt.
25 Ai që e do jetën e vet, e humb; dhe ai që e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetë të përjetshme.
26 Po të më shërbejë dikush, të më ndjekë; dhe ku jam unë, aty do të jetë edhe shërbëtori im. Po të më shërbejë dikush, Ati do ta nderojë".
27 "Tani shpirti im është tronditur dhe çfarë të them: O Atë, më shpëto prej kësaj ore? Po për këtë arsye erdha në këtë orë.
28 O Atë, përlëvdoje emrin tënd!". Atëherë erdhi një zë prej qiellit: "Unë edhe e përlëvdova, edhe do ta përlëvdoj përsëri!".
29 Atëherë, turma që qëndronte aty dhe dëgjoi, thoshte se u bë një bubullimë. Të tjerë thoshin: "Një engjëll i ka folur".
30 Jezusi u përgjigj dhe tha: "Ky zë nuk ka ardhur për dobinë time, po për dobinë tuaj.
31 Tani është gjykimi i kësaj bote! Tani princi i kësaj bote do të hidhet jashtë!
32 Dhe unë kur të ngrihem lart prej tokës, të gjithë do t'i tërheq te vetja ime".
33 (Dhe këtë e thoshte për të treguar se me ç'lloj vdekjeje kishte për të vdekur.)
34 Atëherë turma iu përgjigj: "Ne kemi dëgjuar prej Ligjit se Krishti mbetet përjetë; e si, atëherë, ti thua: 'Duhet të ngrihet lart Biri i Njeriut'? Kush është ky Biri i Njeriut?".
35 Atëherë Jezusi u tha: "Ende për pak kohë drita është ndër ju. Ecni sa keni dritën, që të mos ju zërë errësira; dhe ai që ecën në errësirë, nuk di se ku shkon.
36 Sa keni dritën, besoni te drita, që të bëheni bij të dritës". Këto gjëra foli Jezusi dhe u largua e u fsheh nga ata.
37 Tani, ndonëse ai kishte bërë kaq shumë shenja përpara tyre, prapë nuk besonin në të,
38 që të përmbushej fjala e profetit Isaia, që tha: "O Zot, kush i besoi kumtimit tonë? Dhe krahu i Zotit kujt iu zbulua?".
39 Për këtë arsye nuk mund të besonin, se përsëri Isaia tha:
40 "I ka verbuar sytë e tyre dhe e ngurtësoi zemrën e tyre, që të mos shohin me sy dhe të mos kuptojnë me zemër, dhe të mos kthehen, dhe kështu nuk do t'i shëroj".
41 Këto i tha Isaia, sepse pa lavdinë e tij dhe foli rreth tij.
42 Megjithatë, vërtet edhe prej krerëve shumë besuan në të, po për shkak të farisenjve nuk e rrëfenin, që të mos ishin të përjashtuar nga sinagoga,
43 sepse deshën lavdinë e njerëzve më tepër sesa lavdinë e Perëndisë.
44 Por Jezusi thirri e tha: "Ai që beson në mua, nuk beson në mua, por në atë që më dërgoi mua;
45 dhe ai që më vështron mua, vështron atë që më dërgoi mua.
46 Unë kam ardhur si dritë për botën, që kushdo që beson në mua, të mos mbetet në errësirë.
47 Dhe po t'i dëgjojë dikush thëniet e mia dhe të mos i mbajë, unë nuk e gjykoj, sepse nuk erdha që ta gjykoj botën, por që ta shpëtoj botën.
48 Ai që më hedh poshtë mua dhe që nuk i pranon thëniet e mia, ka kush e gjykon; fjala që fola, ajo do ta gjykojë në ditën e fundit.
49 Se unë nuk fola prej vetes sime, por Ati që më dërgoi, ai vetë, më ka dhënë urdhërim çfarë të them e çfarë të flas.
50 Dhe unë e di se urdhërimi i tij është jetë e përjetshme. Ato që unë flas, pra, kështu i flas, ashtu siç m'i ka thënë Ati".
Të gjithë librat
