Ungjilli sipas Gjonit 10
1 "Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them: ai që nuk hyn përmes derës në vathën e deleve, por që ngjitet tjetërkah, ai është vjedhës dhe kusar;
2 ndërsa ai që hyn përmes derës, është bariu i deleve.
3 Këtij ia hap derëtari dhe delet e dëgjojnë zërin e tij, dhe ai u bëzan deleve të veta emër për emër, dhe u prin jashtë.
4 Kur t'i ketë nxjerrë jashtë të gjitha të vetat, shkon përpara tyre; dhe delet e ndjekin, sepse e njohin zërin e tij.
5 Por një të huaj nuk e ndjekin kurrë, përkundrazi, do të ikin nga ai, sepse nuk e njohin zërin e të huajve".
6 Këtë krahasim ua tha Jezusi farisenjve, por ata nuk kuptuan çfarë ishin ato që u fliste atyre.
7 Atëherë, Jezusi u tha përsëri: "Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve.
8 Të gjithë sa erdhën para meje, janë vjedhës dhe kusarë, por delet nuk i dëgjuan.
9 Unë jam dera; po të hyjë dikush përmes meje, do të shpëtohet; dhe do të hyjë, dhe do të dalë, dhe do të gjejë kullotë.
10 Vjedhësi nuk vjen në mos që të vjedhë dhe të therë, dhe të shkatërrojë. Unë erdha që të kenë jetë, dhe ta kenë të bollshme.
11 Unë jam bariu i mirë. Bariu i mirë jep jetën e vet për delet.
12 Kurse rrogëtari, që nuk është bari, i cili nuk i ka të vetat delet, e vëren ujkun duke ardhur dhe i lë delet e ikën – dhe ujku i rrëmben dhe i shpërndan –
13 se është rrogëtar dhe vetë nuk merakoset për delet.
14 Unë jam bariu i mirë dhe i njoh të miat, dhe të miat më njohin mua,
15 ashtu si Ati më njeh mua dhe unë njoh Atin; dhe jap jetën time për delet.
16 Kam edhe dele të tjera, të cilat nuk janë prej kësaj vathe; edhe ato më duhet t'i sjell, dhe do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të bëhen një grigjë, një bari.
17 Për këtë arsye më do Ati, se unë e jap jetën time që ta marr përsëri.
18 Asnjë nuk e heq atë nga unë, por unë e jap nga vetja ime. Unë kam pushtet për ta dhënë dhe kam pushtet për ta marrë përsëri. Këtë urdhërim mora nga Ati im".
19 U bë përsëri një përçarje ndër judenjtë për shkak të këtyre fjalëve.
20 Dhe shumë prej tyre thoshin: "Ka një demon dhe është çmendur. Pse e dëgjoni?!".
21 Të tjerë thoshin: "Këto thënie nuk janë të një të demonizuari. Mos vallë mundet një demon të hapë sytë e të verbërve?".
22 Pastaj u bë Festa e Kushtimit në Jerusalem. Ishte dimër
23 dhe Jezusi po ecte në tempull, në Portikun e Solomonit.
24 Atëherë e rrethuan judenjtë dhe i thoshin: "Deri kur do ta mbash pezull shpirtin tonë? Nëse ti je Krishti, na e thuaj hapur".
25 Jezusi iu përgjigj atyre: "Jua thashë dhe ju nuk besoni. Veprat që unë bëj në emrin e Atit tim, këto dëshmojnë për mua,
26 por ju nuk besoni, se nuk jeni prej deleve të mia.
27 Delet e mia e dëgjojnë zërin tim dhe unë i njoh ato dhe ato më ndjekin.
28 Dhe unë u jap atyre jetë të përjetshme, dhe nuk do të humbasin kurrë, përjetë, dhe nuk do t'i rrëmbejë kush prej dorës sime.
29 Ati im, i cili m'i ka dhënë, është më i madh se të gjithë dhe asnjë nuk mund t'i rrëmbejë prej dorës së Atit.
30 Unë dhe Ati jemi një".
31 Judenjtë morën përsëri gurë, që ta vrisnin me gurë.
32 Jezusi iu përgjigj: "Ju tregova shumë vepra të mira prej Atit; për cilën vepër nga ato më vrisni me gurë?".
33 Judenjtë iu përgjigjën: "Nuk të vrasim me gurë për ndonjë vepër të mirë, po për blasfemi, ngaqë ti, duke qenë njeri, e bën veten tënde Perëndi".
34 Jezusi iu përgjigj: "A nuk është shkruar në Ligjin tuaj: 'Unë thashë: jeni perëndi'?
35 Nëse u tha 'perëndi' atyre për të cilët erdhi fjala e Perëndisë (dhe Shkrimi nuk mund të zhbëhet),
36 për atë që Ati e shenjtëroi dhe e dërgoi në botë, ju thoni 'blasfemon', sepse thashë 'jam Biri i Perëndisë'?
37 Nëse nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni;
38 por nëse i bëj, edhe po të mos më besoni mua, besojuni veprave, që ta dini dhe të vazhdoni ta dini se Ati është në mua dhe unë në Atin".
39 Prandaj kërkonin përsëri për ta kapur, mirëpo ai iku prej duarve të tyre.
40 Dhe Jezusi shkoi përsëri matanë Jordanit, në vendin ku Gjoni ishte më parë duke pagëzuar, dhe ndenji atje.
41 Dhe shumë njerëz erdhën tek ai dhe thoshin: "Gjoni vërtet nuk bëri asnjë shenjë, por të gjitha sa tha Gjoni për këtë njeri ishin të vërteta".
42 Dhe atje shumë veta besuan në të.
Të gjithë librat
