Letra drejtuar Galatasve 1
1 Pali, apostull (jo nga njerëzit dhe as nëpërmjet një njeriu, por nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Perëndisë Atë, që e ngjalli atë prej të vdekurve),
2 dhe të gjithë vëllezërit që janë bashkë me mua, kishave të Galatisë:
3 hir mbi ju dhe paqe nga Perëndia Atë dhe nga Zoti ynë Jezu Krisht,
4 ai që e dha vetveten për mëkatet tona, me qëllim që të na lironte prej epokës së tanishme të ligë, sipas vullnetit të Perëndisë dhe Atit tonë,
5 të cilit i qoftë lavdia në shekuj të shekujve. Amen!
6 Habitem që kaq shpejt po kaloni nga ai që ju thirri me anë të hirit të Krishtit te një ungjill i ndryshëm,
7 i cili nuk është një tjetër, porse janë disa që ju trazojnë dhe që duan ta shtrembërojnë ungjillin e Krishtit.
8 Por edhe po të jetë se ne apo një engjëll prej qielli t'ju shpallë një ungjill përkundër atij që ju shpallëm si ungjill, qoftë mallkuar!
9 Siç e kemi thënë më përpara, dhe tani po e them përsëri: nëse dikush ju shpall një ungjill përkundër atij që morët, qoftë mallkuar!
10 Sepse tani po përpiqem të bind njerëz apo Perëndinë?! Apo po kërkoj që t'u pëlqej njerëzve?! Sepse sikur t'u pëlqeja ende njerëzve, nuk do të isha skllav i Krishtit.
11 Tani, po ju bëj të njohur, o vëllezër, se ungjilli që u shpall si lajm i mirë nga unë, nuk është sipas njeriut.
12 Sepse as edhe unë vetë nuk e mora nga njeri, as nuk m'u mësua nga njeri, por e mora nëpërmjet një zbulese të Jezu Krishtit.
13 Se ju dëgjuat për sjelljen time më parë në judaizëm, që e përndiqja tej mase kishën e Perëndisë dhe përpiqesha ta rrënoja.
14 Dhe përparoja në judaizëm më tepër se shumë bashkëmoshatarë në kombin tim, duke qenë jashtë mase i zellshëm për traditat e mia atërore.
15 Por, kur Perëndisë që më veçoi prej barkut të nënës sime dhe që më thirri nëpërmjet hirit të tij, i pëlqeu
16 që të zbulonte Birin e tij në mua, me qëllim që ta shpall atë si lajm të mirë ndër kombet, nuk u këshillova menjëherë me mish dhe gjak,
17 dhe as nuk u ngjita në Jerusalem tek ata që ishin apostuj para meje, por shkova në Arabi dhe u ktheva përsëri në Damask.
18 Mandej, mbas tre vjetësh, u ngjita në Jerusalem për t'u njohur me Pjetrin dhe ndenja me të pesëmbëdhjetë ditë.
19 Por nuk pashë asnjë tjetër nga apostujt, përveçse Jakobin, vëllain e Zotit
20 (dhe për këto që po ju shkruaj, ja, përpara Perëndisë po ju them se nuk gënjej!).
21 Mandej shkova në viset e Sirisë dhe të Kilikisë.
22 Por isha i panjohur si fytyrë për kishat e Judesë që janë në Krishtin,
23 dhe ata vetëm kishin dëgjuar: "Ai që na përndiqte më parë, tani po shpall si lajm të mirë besimin të cilin më parë përpiqej ta rrënonte".
24 Dhe lëvdonin Perëndinë për shkakun tim.
Të gjithë librat
