Letra drejtuar Galatasve 5
1 Qëndroni, pra, në lirinë me të cilën na çliroi Krishti dhe mos u pleksni përsëri në zgjedhë skllavërie.
2 Ja, unë Pali po ju them se, po të rrethpriteni, Krishti nuk do t'ju bëjë dobi aspak.
3 Dhe i dëshmoj përsëri çdo njeriu që rrethpritet, se e ka për borxh që ta zbatojë tërë Ligjin.
4 U shkëputët nga Krishti ju të cilët përpiqeni të drejtësoheni me anë të Ligjit; ratë nga hiri.
5 Se ne, nëpërmjet Frymës, prej besimit, presim me padurim shpresën e drejtësisë.
6 Sepse në Krishtin Jezus, as rrethprerja nuk ka ndonjë peshë, as parrethprerja, por besimi që vepron nëpërmjet dashurie.
7 Ju po vraponit mirë; kush ju pengoi që të mos i bindeni së vërtetës?
8 Kjo mbushamendje nuk vjen prej atij që ju thërret.
9 Pak tharm e mbrun tërë brumin.
10 Unë jam i bindur për ju në Zotin se nuk do të mendoni asgjë tjetërsoj; por ai që ju trazon, do të mbajë gjykimin e vet, cilido që të jetë.
11 Ndërsa unë, vëllezër, nëse ende predikoj rrethprerje, pse përndiqem ende?! Atëherë shkandulli i kryqit është shfuqizuar.
12 Oh, sikur ata që ju turbullojnë, edhe të priteshin vetë!
13 Se ju u thirrët për liri, o vëllezër; vetëm mos e ktheni lirinë në një rast për mishin, por, nëpërmjet dashurisë, shërbejini njëri-tjetrit.
14 Se i gjithë Ligji përmbushet në një fjalë të vetme, në atë që "Do ta duash të afërmin tënd si veten tënde".
15 Por nëse kafshoni dhe përpini njëri-tjetrin, kini kujdes se mos gllabëroheni nga njëri-tjetri!
16 Por unë them: Ecni nëpërmjet Frymës dhe nuk do të përmbushni aspak dëshirimin e mishit.
17 Se mishi ka dëshirim kundër Frymës dhe Fryma kundër mishit, dhe këta i kundërvihen njëri-tjetrit, që ju të mos bëni ato çfarë dëshironi.
18 Por nëse udhëhiqeni prej Frymës, nuk jeni nën Ligj.
19 Tani, janë të dukshme veprat e mishit, të cilat janë: kurorëshkelje, kurvëri, papastërti, shthurje,
20 idhujtari, magji, armiqësira, grindje, xhelozira, mllefe, ambicie egoiste, përçarje, ndasira,
21 smirë, vrasje, dehje, ahengje dhe gjëra të ngjashme me këto, për të cilat po ju paralajmëroj, ashtu siç edhe ju kam paralajmëruar, se ata që praktikojnë gjëra të tilla, nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë.
22 Por fryti i Frymës është dashuri, gëzim, paqe, durim, mirëdashje, mirësi, besim,
23 butësi, vetëpërmbajtje. Kundër gjërave të tilla nuk ka ligj.
24 Dhe ata që janë të Krishtit, e kryqëzuan mishin bashkë me pasionet dhe dëshirimet.
25 Nëse jetojmë nëpërmjet Frymës, me Frymën edhe të vijojmë.
26 Të mos bëhemi mburravecë, duke ngacmuar njëri-tjetrin dhe duke pasur smirë njëri-tjetrin.
Të gjithë librat
