Letra drejtuar Galatasve 4
1 Tani, po them që, për aq kohë sa trashëgimtari është i mitur, asgjë nuk e dallon nga skllavi, ndonëse është zot i të gjithave,
2 por është nën kujdestarë dhe administratorë deri në afatin e caktuar nga i ati.
3 Kështu edhe ne, kur ishim të mitur, ishim skllavëruar nën elementet e botës,
4 por kur erdhi plotësia e kohës, Perëndia dërgoi Birin e tij, lindur prej gruaje, lindur nën Ligj,
5 që të shpengonte ata nën Ligj, që ne të merrnim birësimin.
6 Dhe ngaqë jeni bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tuaja, që thërret: "Abba, o Atë!".
7 Kështu që ti nuk je më skllav, por bir; dhe nëse je bir, je edhe trashëgimtar i Perëndisë nëpërmjet Krishtit.
8 Porse atëherë, duke mos e njohur Perëndinë, iu bëtë skllevër atyre që prej natyre nuk janë perëndi.
9 Por tani, duke e njohur Perëndinë apo, më mirë, duke u njohur nga Perëndia, si ktheheni përsëri tek elementet e dobëta dhe të varfra, të cilave dëshironi që t'u bëheni skllevër përsëri nga fillimi?
10 Ju mbani me përpikëri ditë dhe muaj, dhe kohëra, dhe vite.
11 Kam frikë lidhur me ju se mos mbase jam munduar kot për ju.
12 Bëhuni si unë, sepse edhe unë u bëra si ju, o vëllezër; po ju përgjërohem! Ju nuk më bëtë asnjë padrejtësi.
13 Por ju e dini se qe për shkak të një lëngate të mishit që ju shpalla ungjillin herën e parë;
14 dhe sprovën time, që ishte në mishin tim, ju nuk e përbuzët dhe as pështytë nga neveria, por më pritët si engjëll Perëndie, si Krishtin Jezus.
15 Cila ishte, pra, lumnia juaj e mëparshme? Sepse unë dëshmoj për ju se, sikur të kishte qenë e mundur, do të kishit nxjerrë sytë tuaj dhe do të m'i kishit dhënë mua.
16 Prandaj jam bërë armiku juaj duke ju thënë të vërtetën?!
17 Ata tregojnë zell ndaj jush jo për mirë, por dëshirojnë që t'ju lënë jashtë, me qëllim që të tregoni zell ndaj tyre.
18 Por do të ishte mirë për të qenë gjithmonë të zellshëm në të mirë dhe jo vetëm kur unë jam i pranishëm me ju,
19 o fëmijët e mi të vegjël, për të cilët përsëri jam në shtërzime derisa të formohet Krishti në ju.
20 Por do të doja të isha tani i pranishëm me ju dhe ta ndryshoja tonin tim, sepse jam i hutuar lidhur me ju.
21 Më thoni, ju që doni të jeni nën Ligj, a nuk e dëgjoni Ligjin?
22 Se është shkruar që Abrahami pati dy bij: një prej shërbëtores dhe një prej së lirës.
23 Porse, ai prej shërbëtores është lindur sipas mishit, ndërsa ai prej së lirës është lindur nëpërmjet premtimit.
24 Këto gjëra janë shprehur me alegori, sepse këto gra janë të dyja besëlidhjet: nga njëra anë, njëra nga mali Sinai, që lind për skllavëri; kjo është Agara
25 (sepse Agara është mali Sinai në Arabi dhe i përkon Jerusalemit të tanishëm, dhe është në skllavëri bashkë me fëmijët e saj).
26 Nga ana tjetër, Jerusalemi lart është i lirë; kjo është nëna e të gjithëve ne.
27 Se është shkruar: "Galdo, o shterpë, o ti që nuk lind! Shpërthe dhe brohorit, o ti që nuk shtërzon! Sepse të shumtë janë fëmijët e së shkretës, më tepër sesa të asaj që e ka burrin".
28 Dhe ne, o vëllezër, porsi Isaku, jemi fëmijë premtimi.
29 Por, sikurse atëherë ai që u lind sipas mishit, përndiqte atë që u lind sipas Frymës, kështu është edhe tani.
30 Por çfarë thotë Shkrimi?! "Dëboje shërbëtoren dhe birin e saj, sepse biri i shërbëtores nuk do të jetë kurrë trashëgimtar me birin" e së lirës.
31 Kështu që, vëllezër, nuk jemi fëmijë të një shërbëtoreje, por të së lirës.
Të gjithë librat
