Letra drejtuar Galatasve 2
1 Mandej, mbas katërmbëdhjetë vjetësh, përsëri u ngjita në Jerusalem me Barnabën, duke marrë me vete edhe Titin.
2 Dhe atje u ngjita sipas një zbulese, dhe u parashtrova atyre ungjillin të cilin e predikoj ndër kombet; por e bëra veçmas me ata që janë të shquar, se mos mbase vrapoj apo vrapova më kot.
3 Porse, as edhe Titi, i cili ishte bashkë me mua, ndonëse ishte helen, nuk u detyrua që të rrethpritej.
4 Por kjo për shkak të vëllezërve të rremë të futur tinëz, të cilët depërtuan për të përgjuar lirinë tonë, të cilën e kemi në Krishtin Jezus, me qëllim që të na skllavëronin.
5 Atyre as edhe për një çast nuk u lëshuam rrugë përmes nënshtrimit, me qëllim që e vërteta e ungjillit të mbetej me ju.
6 Por nga ata që mbahen si të shquar (çfarëdolloj njerëzish që të ishin, nuk bën asnjë dallim për mua; Perëndia nuk merr parasysh pamjen e njeriut) – njëmend, ata që janë të shquar nuk më shtuan asgjë,
7 por përkundrazi, duke parë se mua më ishte besuar ungjilli për të parrethprerët, ashtu si Pjetrit për të rrethprerët
8 (sepse ai që veproi në Pjetrin për apostullim për të rrethprerët, veproi edhe në mua për kombet),
9 dhe duke njohur hirin që m'u dha, Jakobi dhe Kefa, dhe Gjoni, ata që mbahen të shquar si shtylla, na dhanë të djathtat e tyre mua dhe Barnabës në shenjë përbashkësie, që ne të shkojmë te kombet, ndërsa ata te të rrethprerët.
10 Vetëm na kërkuan që të kujtojmë të varfrit; pikërisht këtë gjë të cilën edhe bëra çmos për ta bërë.
11 Por kur erdhi Pjetri në Antioki, unë iu kundërvura ballas, sepse ishte për t'u dënuar.
12 Njëmend, para se të vinin disa njerëz nga Jakobi, ai hante bashkë me ata të kombeve; por kur erdhën ata, nisi të zmbrapsej dhe të veçohej, duke pasur frikë ata që ishin prej rrethprerjes.
13 Dhe u shtirën bashkë me të edhe judenjtë e tjerë, aq sa edhe Barnaba u përfshi në shtirjen e tyre.
14 Por kur pashë se nuk po ecnin drejt sipas së vërtetës së ungjillit, i thashë Pjetrit përpara të gjithëve: "Nëse ti, duke qenë judé, jeton si kombet dhe jo si judé, pse i detyron kombet që të jetojnë si judenj?".
15 Ne që jemi judenj prej natyre dhe jo mëkatarë prej kombesh,
16 por duke ditur se nuk drejtësohet njeri prej veprave të Ligjit, përveçse nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin, edhe ne besuam në Krishtin Jezus, me qëllim që të drejtësoheshim prej besimit në Krishtin dhe jo prej veprave të Ligjit; ngaqë nuk do të drejtësohet prej veprave të Ligjit asnjë mish.
17 Por nëse duke kërkuar për t'u drejtësuar në Krishtin, u gjetëm edhe vetë mëkatarë, a është Krishti shërbëtor mëkati?! Kurrë mos qoftë!
18 Sepse, nëse këto që i shemba, i ndërtoj përsëri, e paraqes veten time si shkelës.
19 Se unë, nëpërmjet Ligjit, vdiqa për Ligjin, me qëllim që të jetoj për Perëndinë.
20 Unë jam bashkëkryqëzuar me Krishtin dhe nuk jetoj më unë, por jeton Krishti në mua; dhe atë që e jetoj tani në mish, e jetoj në besimin në Birin e Perëndisë, në atë që më deshi dhe e dorëzoi vetveten për mua.
21 Unë nuk e hedh poshtë hirin e Perëndisë, sepse nëse nëpërmjet Ligjit vjen drejtësia, atëherë Krishti vdiq për asgjë!
Të gjithë librat
