Letra drejtuar Galatasve 3
1 O galatas të pamend! Kush ju magjepsi ju, para syve të të cilëve Jezu Krishti u përshkrua i kryqëzuar?
2 Vetëm këtë dua të mësoj nga ju: prej veprave të Ligjit e morët Frymën apo prej dëgjimit me besim?
3 Kaq të pamend jeni?! Pasi e filluat me Frymën, tani po e përfundoni me mishin?!
4 Kaq shumë vuajtët më kot?! (Nëse vërtet edhe qe më kot.)
5 Pra, ai që ju siguron juve Frymën dhe që vepron vepra fuqie ndër ju, e bën prej veprave të Ligjit apo prej dëgjimit me besim?
6 Ashtu si Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu llogarit për drejtësi,
7 dijeni, atëherë, se ata që janë prej besimit, këta janë bij të Abrahamit.
8 Dhe Shkrimi, duke parashikuar se prej besimit i drejtëson Perëndia kombet, i shpalli më parë ungjillin Abrahamit, duke thënë: "Në ty do të bekohen të gjitha kombet".
9 Prandaj, ata që janë prej besimit, bekohen bashkë me besëtarin Abraham.
10 Njëmend, gjithë sa janë prej veprave të Ligjit, janë nën mallkim, sepse është shkruar: "I mallkuar është kushdo që nuk rri në të gjitha ato që janë shkruar në librin e Ligjit, për t'i bërë".
11 Tani, është e qartë që me anë të Ligjit asnjë nuk drejtësohet para Perëndisë, sepse i drejti prej besimit do të jetojë.
12 Ndërsa Ligji nuk është prej besimit, por "ai që i bëri ato, do të jetojë me anë të tyre".
13 Krishti na shpengoi prej mallkimit të Ligjit, duke u bërë mallkim për ne (sepse është shkruar: "I mallkuar është kushdo që varet në dru"),
14 që bekimi i Abrahamit të vinte për kombet në Krishtin Jezus, që ne të merrnim premtimin e Frymës nëpërmjet besimit.
15 Vëllezër, po flas si njeri: po ashtu edhe një besëlidhje njeriu, që është miratuar, asnjë nuk e hedh poshtë, apo i shton gjë tjetër.
16 Dhe premtimet iu thanë Abrahamit dhe pasardhësit të tij. Nuk thotë: "dhe pasardhësve", si të fliste për shumë, por si për një: "dhe pasardhësit tënd", i cili është Krishti.
17 Tani, unë po them këtë: një besëlidhje që është miratuar më parë nga Perëndia, nuk e zhvlerëson Ligji që ka ardhur mbas katërqind e tridhjetë vjetësh, që, si rrjedhim, ta shfuqizojë premtimin.
18 Se nëse trashëgimia është prej Ligjit, nuk është më prej premtimit, por Perëndia ia ka falur atë Abrahamit nëpërmjet premtimit.
19 Pse, pra, u dha Ligji? Ai u shtua për shkak të shkeljeve, duke u urdhëruar nëpërmjet engjëjsh, me dorën e një ndërmjetësi, derisa të vinte pasardhësi të cilit i është bërë premtimi.
20 Tani, ndërmjetësi nuk është vetëm i njërës palë, ndërsa Perëndia është një.
21 Atëherë, a është Ligji kundër premtimeve?! Kurrë mos qoftë! Sepse sikur të ishte dhënë një ligj që mund të japë jetë, atëherë vërtet drejtësia do të ishte prej Ligjit.
22 Por Shkrimi i ngujoi të gjitha nën mëkat, me qëllim që premtimi prej besimit në Jezu Krishtin t'u jepej atyre që besojnë.
23 Por para se të vinte besimi, ne ruheshim nën Ligj, duke qenë të ngujuar për besimin që duhej të zbulohej.
24 Kështu që Ligji ishte bërë edukatori ynë për te Krishti, me qëllim që të drejtësoheshim prej besimit.
25 Por me të ardhur besimi, ne nuk jemi më nën edukator.
26 Se të gjithë ju jeni bij të Perëndisë nëpërmjet besimit në Krishtin Jezus.
27 Se gjithë sa u pagëzuat në Krishtin, Krishtin veshët.
28 Nuk ka aty as judé e as helen; nuk ka aty as skllav e as të lirë; nuk ka aty mashkull dhe femër; sepse të gjithë ju jeni një në Krishtin Jezus.
29 Dhe nëse ju jeni të Krishtit, atëherë jeni pasardhje e Abrahamit, trashëgimtarë sipas premtimit.
Të gjithë librat
