Letra drejtuar Filemonit 1
1 Pali, i burgosur i Krishtit Jezus, dhe vëllai Timote, Filemonit, të dashurit dhe bashkëpunëtorit tonë,
2 dhe Apfisë së dashur, dhe Arkipit, bashkëluftëtarit tonë, dhe kishës në shtëpinë tënde:
3 hir mbi ju dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.
4 E falënderoj Perëndinë tim, gjithmonë, duke të përmendur në lutjet e mia,
5 sepse dëgjoj për dashurinë tënde dhe për besimin që ke ndaj Zotit Jezus dhe për dashurinë tënde për të gjithë shenjtorët;
6 dhe lutem që pjesëmarrja e besimit tënd të bëhet vepruese në njohjen e plotë të çdo të mire që është në ne për Krishtin Jezus.
7 Se ne kemi shumë falënderim dhe zemërdhënie në dashurinë tënde, sepse zemrat e shenjtorëve janë përtërirë nëpërmjet teje, o vëlla.
8 Prandaj, ndonëse kam shumë guxim në Krishtin për të të urdhëruar atë që është e përshtatshme të bësh,
9 për shkak të dashurisë, më tepër po të lutem, duke qenë i tillë siç jam, Pali plak, por tani edhe i burgosur i Jezu Krishtit.
10 Të lutem për birin tim, të cilin e linda në prangat e mia, Onesimin
11 (atë që më parë ishte i padobishëm për ty, por tani është i dobishëm për ty dhe për mua), të cilin e dërgova mbrapsht.
12 Dhe ti pranoje atë, domethënë zemrën time,
13 të cilin unë doja që ta kisha pranë vetes, që të më shërbejë në vendin tënd në prangat për shkak të ungjillit,
14 por pa mendimin tënd nuk desha të bëja asgjë, që të mos jetë e mira jote si nga shtrëngimi, por vullnetarisht.
15 Sepse, ndoshta, për këtë arsye u nda nga ti për një kohë, që ta kesh atë përjetë,
16 jo më si skllav, por më shumë se skllav, si vëlla të dashur, veçanërisht i tillë për mua, por sa më tepër për ty, edhe në mish, edhe në Zotin.
17 Nëse, pra, më ke ortak, pranoje atë si të më pranoje mua.
18 Por nëse të ka bërë ndonjë dëm, ose të detyrohet diçka, këtë ma llogarit mua.
19 Unë, Pali, shkrova me dorën time. Unë do të shlyej; që të mos të them se më detyrohesh edhe veten tënde!
20 Po, vëlla, e paça unë këtë nder prej teje në Zotin! Përtërima zemrën në Zotin!
21 Pasi jam i bindur në dëgjesën tënde, të shkrova duke ditur se do të bësh edhe më shumë se çfarë po them.
22 E në të njëjtën kohë, edhe më përgatit dhomën e miqve, sepse shpresoj që nëpërmjet lutjeve tuaja do t'ju dhurohem hirësisht.
23 Të përshëndet Epafrai, i bashkëburgosuri me mua në Krishtin Jezus;
24 edhe Marku, Aristarku, Dema, Luka, bashkëpunëtorët e mi.
25 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me frymën tuaj! Amen!
Të gjithë librat
