Fjalët e Urta 9
1 Urtia e ka ndërtuar shtëpinë e saj, i ka latuar shtatë shtyllat e saj.
2 Ka therur bagëtinë e saj, ka përzier verën e saj, po ashtu ka shtruar tryezën e saj,
3 ka dërguar shërbëtoret e saj, thërret mbi majat e lartësive të qytetit:
4 "Kush është thjeshtak le të kthehet këtu!". Atij që është i mangët nga mendja i ka thënë:
5 "Ejani, hani nga buka ime dhe pini nga vera që kam përzier!
6 Lëreni thjeshtësinë dhe jetoni, dhe bëni përpara në rrugën e të kuptuarit".
7 Ai që korrigjon një përqeshës, merr mbi vete turpërim dhe ai që qorton një të lig, merr lëndim.
8 Mos e qorto përqeshësin, që mos të të urrejë; qortoje të urtin dhe ai do të të dojë.
9 Jepi udhëzime të urtit dhe ai do të bëhet edhe më i urtë, bëja të njohura të drejtit dhe ai do të shtojë nxënien.
10 Fillesë e urtisë është frika e Jahveh-ut dhe njohja e të Shenjtit, aftësi të kuptuari.
11 Sepse nëpërmjet meje do të shumohen ditët e tua dhe ty do të të shtohen vite jetë.
12 Nëse je i urtë, je i urtë për veten tënde, dhe nëse je përqeshës, vetëm ti do ta përballosh.
13 Gruaja Marrëzirë është zhurmuese, thjeshtake, dhe nuk di asgjë.
14 Dhe rri ulur te hyrja e shtëpisë së saj, mbi një fron te lartësitë e qytetit,
15 që të thërrasë ata që kalojnë rrugës, ata që shkojnë drejt në udhët e tyre:
16 "Kush është thjeshtak, le të kthehet këtu!". Dhe atij që është i mangët nga mendja, i thotë:
17 "Ujërat që vidhen, janë të ëmbla dhe buka e ngrënë në fshehtësi është e shijshme".
18 Por ai nuk e di se hijet janë aty, në thellësitë e Sheolit janë ata që thirren prej saj.
Të gjithë librat
