Fjalët e Urta 8
1 A nuk thërret urtia? Dhe mençuria a nuk lëshon zërin e saj?
2 Në majat e lartësive, përgjatë rrugës, në kryqëzime shtigjesh ka qëndruar,
3 pranë portave në hyrje të qytetit, te pragu i dyerve lëshon britma:
4 "Drejt jush, o njerëz, thërras, dhe zëri im u drejtohet bijve të njeriut.
5 Kuptoni, o thjeshtakë, mprehtësinë, dhe ju, o të marrë, kini një zemër që kupton!
6 Dëgjoni, sepse do të flas për gjëra të rëndësishme dhe hapja e buzëve të mia do të shpallë gjëra të drejta,
7 se të vërtetën shpreh goja ime dhe neveri është për buzët e mia ligësia.
8 Me drejtësi janë të gjitha thëniet e gojës sime, nuk ka në to asgjë të përdredhur apo të shtrembër.
9 Të gjitha ato janë të drejtpërdrejta për atë që kupton dhe të drejta për ata që gjejnë njohuri.
10 Merrni korrigjimin tim e jo argjendin, dhe njohurinë më tepër sesa arin e zgjedhur.
11 Se urtia është më e mirë sesa margaritarët dhe të gjitha ato që ti dëshiron nuk krahasohen me të.
12 Unë, urtia, banoj me mprehtësinë dhe gjej njohurinë e maturisë.
13 Frika e Jahveh-ut është të urryerit e së keqes. Mendjemadhësinë dhe madhështinë, dhe rrugën e keqe, dhe gojën e mbrapshtë, unë i urrej.
14 Imja është këshilla dhe urtia e shëndoshë; unë jam aftësia e të kuptuarit, imja është fuqia.
15 Nëpërmjet meje mbretërojnë mbretërit dhe dinjitarët dekretojnë çfarë është e drejtë.
16 Nëpërmjet meje qeverisin qeveritarët dhe fisnikët, të gjithë ata që gjykojnë drejt.
17 Unë i dua ata që më duan, dhe ata që më kërkojnë ethshëm, do të më gjejnë.
18 Pasuri dhe nder janë me mua, kamje jetëgjatë dhe drejtësi.
19 Fryti im është më i mirë sesa ari, madje sesa ari i kulluar, dhe prodhimi im, më i mirë sesa argjendi i zgjedhur.
20 Nëpër udhën e drejtësisë unë eci, në mes të shtigjeve të së drejtës,
21 për t'i bërë ata që më duan që të trashëgojnë pasje dhe që t'i mbush thesaret e tyre.
22 Jahveh-u më përftoi në fillim të rrugës së tij, në hershmëri të veprave të tij qëkuri.
23 Nga përjetësia jam caktuar, nga fillimi, nga kohërat e hershme të tokës.
24 Kur nuk ishin ende thellësitë, unë jam lindur, kur ende nuk kishte burime të mbushura plot me ujëra.
25 Përpara se malet të ishin ngulur, përpara kodrave, unë jam lindur,
26 ende pa bërë tokën dhe fushat, apo pluhurat fillestarë të botës.
27 Kur ai vendosi qiejt, aty isha unë. Kur ai ravijëzoi një rreth mbi sipërfaqe të thellësisë,
28 kur i përforcoi retë përsipër, kur i bëri të forta burimet e thellësisë,
29 kur vuri për detin statutin e tij, që ujërat të mos kalojnë përtej urdhërit të tij, kur i ravijëzoi themelet e tokës,
30 atëherë unë isha pranë tij si një mjeshtër dhe isha kënaqësia e tij ditë për ditë, duke gëzuar përpara tij në çdo kohë,
31 duke gëzuar në pjesën e banuar të tokës së tij; dhe kënaqësia ime ishte me bijtë e njeriut.
32 Dhe tani, o bij, më dëgjoni, se të lumë janë ata që i mbajnë rrugët e mia.
33 Dëgjoni korrigjimin dhe bëhuni të urtë, dhe mos e shpërfillni atë.
34 Lum ai njeri që më dëgjon, për të vigjiluar te dyert e mia ditë për ditë, për të mbikëqyrur shtalkat e hyrjeve të mia.
35 Sepse ata që më gjejnë janë ata që gjejnë jetë, dhe një i tillë ka arritur të marrë hatër prej Jahveh-ut.
36 Por ai që mëkaton ndaj meje është ai që dhunon shpirtit të vet; të gjithë ata që më urrejnë, duan vdekjen.
Të gjithë librat
