Fjalët e Urta 7
1 Biri im, mbaji thëniet e mia, dhe urdhërimet e mia mbaji fshehur brenda teje.
2 Mbaji urdhërimet e mia dhe jeto, dhe ligjin tim mbroje si beben e syve të tu;
3 lidhi ndër gishtat e tu, shkruaji mbi rrasën e zemrës sate.
4 Thuaji urtisë: "Ti je motra ime!" dhe thirre "fisanak" të kuptuarit;
5 për të të mbrojtur nga gruaja që nuk të është e lejuar, nga e huaja që me thëniet e saja bën lajkatim.
6 Se në dritaren e shtëpisë sime, përmes grilës shikova poshtë
7 dhe pashë ndër thjeshtakët, dhe dallova ndër të rinjtë një djalosh të mangët nga mendja,
8 duke kaluar në rruginën pranë qoshes së saj, dhe rrugës së shtëpisë së saj marshonte,
9 në muzg, në mbrëmjen e asaj dite, në mes të natës dhe të territ.
10 Dhe ja, një grua vjen për ta takuar, veshur me një rrobë prostitute dhe me qëllime të fshehta në zemër.
11 (Ajo është zhurmuese dhe kryeneçe, nuk i rrinë këmbët në shtëpinë e saj;
12 herë në rrugë, herë në sheshe dhe pranë çdo qosheje rri në pritë.)
13 Kështu, ajo e mbërthen atë dhe e puth, dhe me paturpësi në fytyrë, i tha atij:
14 "Flijimet e ofertës së paqes i kam me vete, sot i kam përmbushur kushtet e mia,
15 prandaj kam dalë për të të takuar, për të kërkuar fytyrën tënde dhe të gjeta.
16 Me mbulesa e kam mbuluar dyshekun tim, me qëndisma shumëngjyrëshe prej liri të Egjiptit.
17 E kam spërkatur shtratin tim me mirrë, aloe dhe kanellë.
18 Eja, le të pimë sa të ngihemi me të bëra dashuri deri në mëngjes, le ta shijojmë njëri-tjetrin në kënaqësi dashurore,
19 sepse burri nuk është në shtëpi, ka shkuar në një rrugëtim të largët;
20 një qese me para mori në dorë, në ditën e hënës së plotë do të vijë në shtëpi".
21 Ajo e tërhoqi me shumë fjalë bindëse, me lajkatimin e buzëve të saj e ngashënjente.
22 Ai befas e ndjek pas, si një ka shkon drejt therjes dhe si një në pranga drejt korrigjimit të të pamendit,
23 derisa një shigjetë ia tejshpon mëlçinë; si një zog që nxiton drejt çarkut dhe nuk e di se kjo gjë është kundër jetës së tij.
24 Dhe tani, o bij, më dëgjoni dhe dëgjoni me vëmendje thëniet e gojës sime.
25 Mos të mënjanohet për të shkuar drejt rrugëve të saj zemra jote, mos u end nëpër shtigjet e saj.
26 Sepse të shumtë janë të therurit që ka bërë të bien dhe të panumërt janë të gjithë të vrarët prej saj.
27 Rrugët e Sheolit janë nga shtëpia e saj, duke zbritur drejt dhomave të vdekjes.
Të gjithë librat
