Fjalët e Urta 6
1 Biri im, nëse je bërë dorëzanë për të afërmin tënd, nëse i ke tokur duart për atë tjetrin,
2 nëse je zënë në kurth me thëniet e gojës sate, je kapur me thëniet e gojës sate,
3 bëj këtë, atëherë, o biri im, dhe lirohu, sepse ke rënë në dorën e të afërmit tënd: shko, ule veten dhe mësyja të afërmit tënd.
4 Mos u jep gjumë syve të tu dhe as dremitje qepallave të tua,
5 lirohu si një sorkadhe prej dorës së gjuetarit dhe si një zog prej dorës së gjahtarit të shpendëve.
6 Shko te milingona, o përtac, shih rrugët e saj dhe bëhu i urtë.
7 Ajo nuk ka për vete as epror, as përgjegjës dhe as sundimtar;
8 e përgatit gjatë verës bukën e saj, e grumbullon gjatë korrjes ushqimin e saj.
9 Deri kur, o përtac, do të rrish shtrirë? Kur do të çohesh nga gjumi yt?
10 Pak gjumë, pak dremitje, pak të ndenjur duarkryq për të pushuar,
11 dhe varfëria jote do të vijë si një rrugaç dhe nevoja jote si një shqytar.
12 Njeri i pavlerë, burrë i paudhë, është ai që ecën me gojë që flet shtrembër,
13 që shkel syrin e tij, që bën shenja me këmbë, që tregon me gishta,
14 që ka mbrapshtira në zemrën e tij, që kurdis të keqen në çdo kohë dhe sjell ngatërresa.
15 Për këtë arsye, befas do të vijë fatkeqësia e tij, menjëherë do të thyhet dhe nuk do të ketë shërim.
16 Gjashtë janë ato gjëra që i urren Jahveh-u, madje shtatë janë gjëra të neveritshme për shpirtin e tij:
17 sytë që përpjeten, gjuha rrenacake dhe duart që derdhin gjak të pafajshëm,
18 zemra që kurdis mendime paudhësie, këmbët që nxitojnë të vrapojnë drejt së keqes,
19 dëshmitari i rremë që nxjerr gënjeshtra dhe ai që sjell ngatërresa midis vëllezërve.
20 Ruaje, o biri im, urdhërimin e atit tënd dhe mos e lër në harresë porosinë e nënës sate.
21 Lidhi rreth zemrës sate vazhdimisht, shtrëngoji rreth qafës sate.
22 Kur të ecësh, ata do të të udhëheqin ty, kur të jesh shtrirë ata do të të mbikëqyrin, dhe kur të zgjohesh, ata do të të flasin.
23 Sepse urdhërimi është një kandil dhe porosia është një dritë, ndërsa qortimet e korrigjimit janë rruga e jetës,
24 për të të mbrojtur prej gruas së keqe, prej lajkatimit të gjuhës së një të huaje.
25 Mos e dëshiro bukurinë e saj në zemrën tënde dhe mos lejo të të tërheqë me qepallat e saja.
26 Se për një grua që është prostitutë burri katandiset për një copë bukë dhe gruaja e një burri tjetër gjuan një jetë të çmuar.
27 A mund të marrë një burrë zjarr në gjirin e tij dhe rrobat e tija të mos digjen?!
28 A ecën dot një burrë mbi thëngjij dhe këmbët e tija të mos përcëllohen?!
29 Kështu është ai që shkon te gruaja e të afërmit të tij; nuk do të mbetet i pandëshkuar kushdo që e prek atë.
30 Njerëzit nuk e përçmojnë vjedhësin kur vjedh për të ngopur vetveten, sepse është i uritur,
31 por nëse kapet, ai do të paguajë shtatëfishin; gjithë kamjen e shtëpisë së vet do të duhet ta japë.
32 Ai që bën kurorëshkelje me një grua është i mangët nga mendja; po shkatërron shpirtin e vet ai që e bën këtë.
33 Plagë dhe turpërim do të gjejë, dhe poshtërimi i tij nuk ka për t'u fshirë.
34 Se xhelozia është mllefi i një burri dhe ai nuk do të tregohet i kursyer në ditën e hakmarrjes.
35 Nuk do të mirëpresë asnjë shpërblesë dhe nuk do të pranojë, ndonëse do t'i shumosh paratë nën dorë.
Të gjithë librat
