Fjalët e Urta 5
1 Biri im, dëgjoje me vëmendje urtinë time, anoje veshin tënd drejt mençurisë sime,
2 me qëllim që të mbrosh maturinë dhe që buzët e tua të ruajnë njohurinë.
3 Se mjaltë të pjekur pikojnë buzët e së huajës dhe më e lëmuar se vaji është qiellza e saj.
4 Por fundi prej saj është i hidhur si pelini, i mprehtë si tehet e shpatës.
5 Këmbët e saj zbresin në vdekje, në Sheol mbërrijnë hapat e saj.
6 Po qe se nuk e sheshon udhën e jetës, shtigjet e saj hallakaten, por ajo nuk e di.
7 Dhe tani, o bij, më dëgjoni dhe mos u largoni nga thëniet e gojës sime.
8 Mbaje larg prej saj rrugën tënde dhe mos u afro te dera e shtëpisë së saj,
9 që të mos ua japësh të tjerëve vrullin tënd dhe vitet e tua një mizori,
10 që të mos ngopen të huajt prej forcës sate dhe prej mundimeve të tua ata në shtëpinë e të huajit,
11 dhe ti të rënkosh në fundin tënd, kur të mbarojë mishi yt dhe trupi yt,
12 dhe të thuash: "Si e urreva korrigjimin dhe e përbuzi qortimin zemra ime,
13 dhe nuk e dëgjova zërin e mësuesve të mi, dhe drejt atyre që më mësuan nuk e anova veshin!
14 Për pak kam qenë në çdo të keqe në mes të bashkësisë dhe kuvendit".
15 Pi ujë nga sterna jote dhe ujë që rrjedh nga pusi yt.
16 A duhet të shpërndahen burimet e tua përjashta, ndër sheshe si rrëke ujërash?
17 Qofshin për ty, vetëm për ty, e jo për të huaj që janë me ty.
18 Qoftë burimi yt i bekuar dhe gëzo prej gruas së rinisë sate.
19 Drenushë dashurore dhe gazelë e hirshme, sisët e saj le ta ngijnë etjen tënde në çdo kohë, në dashurinë e saj kalamendu vazhdimisht.
20 Po përse duhet të kalamendesh, o biri im, me një që nuk të është e lejuar dhe duhet të përqafosh gjirin e një të huaje?
21 Se rrugët e një burri janë para syve të Jahveh-ut dhe ai i vrojton të gjitha shtigjet e tij.
22 Paudhësitë e tij do ta kapin atë, të ligun, dhe me litarët e mëkatit të vet do të mbahet fort.
23 Ai do të vdesë për mospasje korrigjimi dhe në marrëzinë e tij të madhe, do të shmanget nga rruga.
Të gjithë librat
