Fjalët e Urta 4
1 Dëgjoni, o bij, korrigjimin e një ati dhe dëgjoni me vëmendje që të aftësoheni në të kuptuar,
2 sepse ju kam dhënë një nxënie të mirë; ligjin tim mos e braktisni.
3 Kur unë kam qenë një bir për atit tim, njomëzak dhe bir i vetëm përpara nënës sime,
4 atëherë ai më mësoi dhe më tha: "Le t'i mbajë fort fjalët e mia zemra jote; mbaji urdhërimet e mia dhe jeto.
5 Fito urti, fito aftësi kuptimi; mos i harro dhe mos u shmang nga thëniet e gojës sime.
6 Mos e braktis atë dhe ajo do të të mbrojë, duaje atë dhe ajo do të të ruajë.
7 Fillimi i urtisë është: fito urti, dhe me gjithçka që ke fituar, fito aftësi kuptimi.
8 Vlerësoje lart atë dhe ajo do të të lartësojë; ajo do të të nderojë, po qe se e përqafon.
9 Ajo do të vendosë në kokën tënde një lulevarg hiri; një kurorë bukurie do të të dorëzojë".
10 Dëgjo, biri im, dhe pranoji thëniet e mia, dhe do të të shumohen vitet e jetës.
11 Në rrugën e urtisë të kam mësuar; të kam udhëhequr në shtigjet e drejtësisë.
12 Kur të ecësh, nuk do të ngatërrohen hapat e tua, dhe nëse do të vraposh, nuk do të pengohesh.
13 Rroke korrigjimin, mos e lësho! Ruaje, sepse ai është jeta jote.
14 Në udhën e të ligjve mos u fut dhe mos bëj përpara në rrugën e të këqijve.
15 Shmange, mos kalo nëpër të! Bëj mënjanë nga ajo dhe kalo tutje!
16 Se ata nuk flenë, nëse nuk bëjnë të keqe, dhe u ikën gjumi, nëse nuk bëjnë dikë të pengohet.
17 Se ata hanë bukën e ligësisë dhe pinë verën e dhunës.
18 Por udha e të drejtëve është si drita shkëlqyese e agimit, që ndriçon gjithnjë e më shumë, derisa bëhet plotësisht ditë.
19 Rruga e të ligjve është si terri; ata nuk e dinë se në çfarë pengohen.
20 Biri im, dëgjoji me vëmendje fjalët e mia, anoje veshin tënd drejt thënieve të mia.
21 Mos lejo që ato të shpëtojnë nga sytë e tu; mbaji në mes të zemrës sate,
22 sepse ato janë jetë për ata që i gjejnë dhe për tërë mishin e tyre, shërim.
23 Përtej çdo mbikëqyrjeje, ruaj zemrën tënde, sepse nga ajo janë burimet e jetës.
24 Hiqe prej teje gojën që flet shtrembër, dhe buzët që dredhojnë largoji prej teje.
25 Sytë e tu le të këqyrin përpara dhe qepallat e tua le të rrinë drejt përballë teje.
26 Sheshoje shtegun e këmbës sate dhe të gjitha rrugët e tua do të jenë të qëndrueshme.
27 Mos u kthe djathtas apo majtas; hiqe këmbën tënde nga e keqja.
Të gjithë librat
