Fjalët e Urta 31
1 Fjalët e Lemuelit, mbretit. Profeci me të cilën e korrigjoi nëna e tij.
2 Çfarë, o biri im? Dhe çfarë, o biri i barkut tim? Dhe çfarë, o biri i kushteve të mia?
3 Mos u jep grave forcën tënde as rrugët e tua atyre që shfarosin mbretërit.
4 Nuk është për mbretërit, o Lemuel, nuk është për mbretërit që të pijnë verë, as për dinjitarët pijet dehëse.
5 që të mos pinë e të harrojnë atë që është dekretuar, dhe të ndryshojnë çështjet gjyqësore për të gjithë njerëzit e mjeruar.
6 Jepini pije dehëse atij që po humbet dhe verë atyre që janë të hidhëruar në shpirt.
7 Do të pijë e do të harrojë skamjen e tij dhe telashin e tij nuk do ta kujtojë më.
8 Hape gojën për memecin, për çështjet gjyqësore të të gjithë atyre që janë duke mbaruar.
9 Hape gojën, gjyko drejt, dhe jepi të drejtë të varfrit dhe nevojtarit.
10 Një grua të virtytshme kush mund ta gjejë? Vlera e saj është më e lartë se margaritarët!
11 Në të ka besim zemra e të shoqit, dhe atij nuk do t'i mungojë asnjë fitim.
12 Ajo sillet mirë me të, dhe jo keq, gjithë ditët e jetës së saj.
13 Kërkon lesh dhe li dhe i punon me kënaqësinë e duarve të saj.
14 Është si anija e tregtarit, prej së largu sjell bukën e saj.
15 Ngrihet që me natë dhe i jep ushqim shtëpisë së saj dhe racionin të rejave të saj.
16 Vë qëllim një fushë dhe e merr atë; nga fryti i duarve të saj mbjell një vresht.
17 I ngjesh ijët me forcë dhe forcon krahët e saj.
18 E kupton që fitimi i saj është i mirë; kandili i saj nuk do të shuhet gjatë natës.
19 Duart i zgjat te furka dhe me pëllëmbët e saj mbështet boshtin.
20 Pëllëmbën e ka shtrirë për të varfrin dhe duart i ka zgjatur për nevojtarin.
21 Nuk ka frikë për shtëpinë e saj nga bora, sepse gjithë shtëpia e saj është e veshur me fill të kuq të ndezur.
22 Bën mbulesa për veten e saj, veshja e saj është prej liri të hollë dhe prej vjollce.
23 Zotëria i saj është i njohur në portat e qytetit, kur ulet me pleqtë e vendit.
24 Bën pëlhura prej liri dhe i shet, dhe tregtarit i jep një brez.
25 Veshja e saj është plot forcë dhe shkëlqim, dhe ajo qesh me ditën që do të vijë.
26 Gojën e hap me urtësi dhe ligji i besëmirësisë është mbi gjuhën e saj.
27 E vëzhgon ecurinë e shtëpisë së saj dhe bukën e përtacisë nuk e ha.
28 Bijtë e saj ngrihen dhe e lumturojnë, edhe zotëria i saj e ka lavdëruar.
29 "Shumë bija kanë bërë gjëra të virtytshme, por ti ua kalon të gjithave atyre".
30 Hijeshia është rrenë dhe bukuria avull. Gruaja që e ka frikë Jahveh-un, ajo do të lavdërohet.
31 Jepini asaj nga fryti i duarve të saj dhe le ta lavdërojnë në portat e qytetit veprat e saj.
Të gjithë librat
