Fjalët e Urta 30
1 Fjalët e Agurit, birit të Jakehut. Profeci. Shpallja e këtij njeriu për Itielin, për Itielin dhe Ukalin.
2 Patjetër që unë jam më i trashë nga çdo njeri dhe nuk kam aftësi për të kuptuar si njeriu.
3 dhe nuk kam mësuar urtësinë as nuk kam njohuri për të Shenjtin.
4 Kush u ngjit në qiej dhe zbriti? Kush e mblodhi erën në grushtet e tij? Kush i ka mbështjellë ujërat në mantelin e tij? Kush i ka caktuar të gjitha skajet e tokës? Cili është emri i tij dhe cili emri i birit të tij? Vërtet mund ta njohësh.
5 Çdo thënie e Perëndisë është e rafinuar. Ai është mburojë për ata që gjejnë shtrehë në të.
6 Mos u shto gjë fjalëve të tij, përndryshe ai do të të qortojë dhe ti do të dalësh gënjeshtar.
7 Dy gjëra kërkova nga ti; mos i përmbaj nga unë para se të vdes.
8 Kotësinë dhe fjalët e rreme largoji nga unë. Varfëri dhe pasuri mos më jep mua. Më jep të ha racionin që më takon.
9 që të mos ngopem dhe të të mohoj, dhe të them "Kush është Jahveh-u?" dhe që të mos varfërohem dhe të vjedh, dhe të përdhos emrin e Perëndisë tim.
10 Mos e përgojo skllavin te zotëria i tij, që mos të të mallkojë dhe të dalësh fajtor.
11 Ka një brez që mallkon atin e tij dhe nuk bekon nënën e vet.
12 Ka një brez që është i pastër në sytë e vet, mirëpo nuk është larë nga jashtëqitja e vet.
13 Ka një brez që i ka sytë shumë lart dhe qepallat e veta janë arrogante.
14 Ka një brez që i ka dhëmbët shpata dhe nofullat thika, që të përpijë të varfërit nga toka dhe nevojtarët nga dheu.
15 Shushunja ka dy bija: "Jep! Jep!". Tri gjëra nuk ngopen, katër nuk thonë: "Mjaft!":
16 Sheoli dhe barku shterp, toka që nuk është ngopur me ujë dhe zjarri që nuk thotë: "Mjaft!".
17 Syrin e njerit që përqesh atin dhe përçmon bindjen ndaj nënës do ta çukisin korbat e luginës dhe do ta hanë zogjtë e shqiponjës.
18 Tri janë gjërat shumë të mrekullueshme për mua, madje katër ato që nuk i di:
19 rrugën e shqiponjës në qiej, rrugën e gjarprit mbi shkëmb, rrugën e anijes në mes të detit dhe rrugën e burrit me një vashë.
20 Kështu është rruga e gruas që shkel kurorën: ha dhe fshin gojën, e pastaj thotë: "Nuk kam kryer paudhësi".
21 Për tri gjëra trandet toka dhe për katër nuk mundet të mbahet:
22 për një skllav që mbretëron dhe për një budalla që ngopet me bukë,
23 për një grua të urryer që ka burrë dhe për një shërbëtore që shpronëson zonjën e saj.
24 Katër janë krijesat e vogla të tokës, megjithatë ato janë bërë tejet të urta:
25 milingonat që nuk janë një grup i fortë, por gjatë verës përgatisin bukën e tyre;
26 baldosat që nuk janë një grup i fuqishëm, por e bëjnë në shkrep folenë e tyre.
27 karkalecat nuk kanë mbret, por dalin duke mbajtur radhë secili.
28 hardhuca që e kap me duar, por ajo hyn në pallatet mbretërore.
29 Tre janë ata që bëjnë hapa të mëdhenj dhe katër ecin madhërisht:
30 luani, më i fuqishmi ndër kafshët, që nuk zmbrapset para askujt;
31 kaposhi i kapardisur dhe cjapi, dhe mbreti që ka me të një grup ushtarësh.
32 Nëse ke qenë budalla duke u krenuar, dhe nëse ke intriguar, vëre dorën te goja,
33 sepse rrahja e qumështit nxjerr gjalpë dhe fryrja e hundës nxjerr gjak, dhe shfryrja e zemërimit nxjerr grindje.
Të gjithë librat
