Fjalët e Urta 3
1 Biri im, ligjin tim mos e harro dhe le t'i ruajë urdhërimet e mia zemra jote,
2 sepse ditë të gjata e vite jete dhe paqe do të të shtojnë ty.
3 Besëmirësia dhe besnikëria mos të lënçin! Lidhi rreth qafës sate, shkruaji mbi rrasën e zemrës sate
4 dhe, kështu, gjej hir dhe zgjuarsi të dobishme në sytë e Perëndisë dhe të njerëzisë.
5 Ki besim te Jahveh-u me gjithë zemrën tënde dhe te të kuptuarit tënd mos u mbështet.
6 Në të gjitha rrugët e tua mendo për të dhe ai vetë do t'i drejtojë udhët e tua.
7 Mos e mbaj veten të urtë në sytë e tu, ki frikë Jahveh-un dhe largohu nga e keqja.
8 Kjo do të jetë shërim për mishin tënd dhe freskim për kockat e tua.
9 Ndero Jahveh-un me kamjen tënde dhe me frytin e parë të të gjithë prodhimit tënd,
10 dhe hambarët e tu do të jenë të mbushur me bollëk dhe vozat e tua nga vera e re do të pëlcasin.
11 Korrigjimin e Jahveh-ut, o biri im, mos e përçmo dhe mos ji i neveritur me qortimin e tij,
12 sepse atë që e do, Jahveh-u e qorton, porsi një atë birin në të cilin gjen kënaqësi.
13 Lum njeriu që ka gjetur urti dhe njeriu që ka arritur të ketë meçuri.
14 Se fitimi i saj është më i mirë sesa fitimi i argjendit dhe prodhimi i saj, më i mirë sesa ari.
15 Ajo është më e kushtueshme sesa margaritarët dhe të gjitha ato që ti dëshiron nuk krahasohen me të.
16 Ditë të gjata janë në të djathtën e saj, në të majtën e saj ka pasuri dhe nder.
17 Rrugët e saj janë rrugë ëndjeje dhe të gjitha shtigjet e saj janë paqe.
18 Ajo është një pemë jete për ata që e mbërthejnë atë dhe ata që e mbajnë fort janë të lumë.
19 Me urti Jahveh-u e themeloi tokën, i vendosi qiejt me mençuri.
20 Me njohurinë e tij thellësitë u çanë dhe retë pikëlojnë vesë.
21 Biri im, mos lejo që këto gjëra të shpëtojnë nga sytë e tu, ruaj urtinë e shëndoshë dhe maturinë,
22 dhe ato do të jenë jetë për shpirtin tënd dhe hir për qafën tënde.
23 Atëherë do të ecësh rrugës sate në siguri dhe këmba jote nuk do të ndeshë pengesë.
24 Kur të shtrihesh nuk do të trembesh; por do të shtrihesh dhe do të jetë i ëmbël gjumi yt.
25 Mos u frikëso nga tmerrimi që vjen befas dhe as nga shkatërrimi i të ligjve, kur të vijë.
26 Se Jahveh-u do të jetë siguria jote dhe ai do ta mbrojë këmbën tënde nga kapja në lak.
27 Mos e kurse të mirën ndaj atyre që u takon, kur është në fuqinë e dorës sate për ta bërë.
28 Mos i thuaj të afërmit tënd: "Shko dhe kthehu prapë, dhe nesër do të ta jap", ndërsa gjënë e ke me vete.
29 Mos kurdis të keqen ndaj të afërmit tënd, ndërsa ai po banon me ty në siguri.
30 Mos u grind pa shkak me një njeri, nëse nuk të ka bërë ndonjë të keqe.
31 Mos ji ziliqar ndaj njeriut të dhunës dhe mos zgjidh asnjë nga rrugët e tij,
32 sepse dredharaku është neveri për Jahveh-un, ndërsa këshillimi i fshehtë i Jahveh-ut është me të drejtët.
33 Mallkimi i Jahveh-ut është në shtëpinë e të ligut, por banesën e të drejtëve ai e bekon.
34 Ndonëse ai i përqesh përqeshësit, patjetër të përvuajturve u jep hir.
35 Nder do të trashëgojnë të urtët, por të marrët ai i lartëson në turpërim.
Të gjithë librat
