Fjalët e Urta 29
1 Njeriu që e qortojnë, megjithatë mbetet kokëfortë, do të thyhet menjëherë pa asnjë shërim.
2 Kur shumohen të drejtët, populli gëzon, por kur sundojnë të ligjtë populli rënkon.
3 Njeriu që e do urtësinë, do ta gëzojë atin e tij, kurse ai që shoqërohet me kurva, do ta shkatërrojë kamjen.
4 Mbreti e bën të qëndrueshëm vendin me drejtësi, kurse njeriu i ryshfeteve do ta rrënojë atë.
5 Njeriu që i bën lajka shokut të tij, po hedh një rrjetë për këmbët e tij.
6 Në shkeljen e njeriut të keq, ka kurth, por i drejti do të lëshojë brita hareje dhe do të gëzojë.
7 I drejti i di çështjet gjyqësore të të vobektëve; i ligu nuk e kupton këtë njohuri.
8 Njezërit përqeshës i vënë zjarrin qytetit, ndërsa të urtët e shuajnë zemërimin.
9 Kur njeriu i urtë gjykohet bashkë me njeriun e pamend, ky do të dridhet e do të qeshë, por nuk do të ketë prajë.
10 Njerëzit gjakatarë e urrejnë të ndershmin, kurse të drejtët kërkojnë të mbrojnë jetën e tij.
11 I marri shfryn gjithë dufin e tij, kurse i urti e qetëson e përmbahet.
12 Nëse sundimtari dëgjon me vëmendje fjalë të rreme, të gjithë ata që i shërbejnë atij, janë të ligj.
13 Skamnori dhe lënduesi janë takuar,; Jahveh-u ndriçon sytë e të dyve atyre.
14 Mbreti që gjykon të vobektët me sinqeritet, froni i tij do të jetë i qëndrueshëm përgjithmonë.
15 Shkopi dhe qortimi sjellin urtësi, por i riu që është lënë i lirë, turpëron nënën e tij.
16 Kur shtohen të ligjtë, shumohet shkelja, por të drejtët do të shohin rënien e tyre.
17 Korrigjoje birin tënd dhe ai do të të sjellë prehje, edhe do t'i sjellë kënaqësi shpirtit tënd.
18 Kur nuk ka vegime, populli lihet pa fre, por lum ai që mban ligjin.
19 Skllavi nuk do të korrigjohet vetëm me fjalë, sepse megjithëse kupton, nuk jep përgjigje.
20 Ke vështruar ndonjë njeri që nxiton kur flet? Ka më shumë pritshmëri për të marrin sesa për të.
21 Ai që e llaston skllavin e tij që nga rinia, në fund ai do të jetë mosmirënjohës.
22 Njeriu zemërak ndez sherre dhe mllefqari bën shumë shkelje.
23 Fodullëku i njeriut do ta bëjë të bjerë poshtë atë, por ai që ka frymë të përulur, do të marrë lavdi,
24 Ai që ndan gjërat me hajdutin, urren veten; ai e dëgjon mallkimin, por nuk e tregon,
25 Dridhja ndaj njeriut sjell kurthe, por ai që ka besim në Jahveh-un do të vendoset në një vend të lart.
26 Shumë kërkojnë fytyrën e sundimtarit, mirëpo gjykimi i njeriut vjen nga Jahveh-u.
27 Njeriu i padrejtë është neveri për të drejtët dhe ai që është i drejtë në rrugën e tij, është neveri për të ligun.
Të gjithë librat
