Fjalët e Urta 25
1 Edhe këto janë fjalët e urta të Solomonit, të cilat i kopjuan njerëzit e Hezekias, mbretit të Judës.
2 Është lavdia e Perëndisë që të fshehë një çështje, kurse lavdia e mbretërve është që ta hetojnë një çështje.
3 Qiejt për lartësinë dhe toka për thellësinë, por zemra e mbretërve nuk ka hulumtim.
4 Shqite skorien nga argjendi dhe do të dalë një enë për rafinuesin.
5 Shqite të ligun nga prania e mbretit dhe froni i tij do të bëhet i qëndrueshëm në drejtësi.
6 Mos e ndero veten përpara mbretit dhe mos qëndro në vendin e të mëdhenjve.
7 sepse është më mirë të të thotë: "Ngjitu këtu" sesa të të bëjë të biesh poshtë përpara një fisniku të cilin e panë sytë e tu.
8 Mos dil shpejt për t'u grindur se çfarë do të bësh në fund kur i afërmi yt të të ketë çnderuar?
9 Trajtoje çështjen tënde me të afërmin tënd dhe mos e zbulo këshillimin e fshehtë të tjetrit.
10 që të mos të marrojë ai që dëgjon, dhe thashethemet e tua nuk do të kthehen mbrapsht.
11 Mollë të arta në enë të gdhendur prej argjendi janë fjalët e folura në kohën e duhur.
12 Vath i artë dhe stoli floriri është një qortues i urtë për veshin që dëgjon.
13 Si ftohtësia e borës në një ditë korrjeje është një i dërguar i besueshëm për ata që e kanë dërguar; dhe shpirtin e zotërisë së tij ai do ta këndellë.
14 Re dhe erë, por pa shi, kështu është njeriu që lavdërohet për dhuratat që s'i jep.
15 Me zemërgjerësi eprori mund të joshet dhe gjuha e butë thyen kocka.
16 Nëse ke gjetur mjaltë, ha sa të mjafton, që të mos velesh, e pastaj ta vjellësh.
17 Shkel rralë këmbë në shtëpinë e të afërmit tënd, që të mos velet me ty, e pastaj të të urrejë.
18 Topuz dhe shpatë, dhe shigjetë e mprehtë është njeriu që jep dëshmi të rreme kundër të afërmit të tij.
19 Si një dhëmb i thyer dhe një këmbë e çalë është besimi te një i pabesë në ditën e ngushticës.
20 Si ai që zhvesh rrobën në një ditë të ftohtë, si uthulla mbi sodë, është edhe ai që i këndon këngë një zemre të trishtë.
21 Nëse ai që të urren, është i urritur, jepi të hajë bukë, dhe nëse është i etur, jepi të pijë ujë.
22 sepse kështu ti do të grumbullosh thëngjij mbi kokën e tij dhe Jahveh-u do të të shpërblejë.
23 Era e veriut sjell shi dhe gjuha e gjatë sjell fytyra të zemëruara.
24 Më mirë të banosh në qoshen e çatisë sesa në të njëjtën shtëpi me një grua sherrxheshë.
25 Si uji i ftohtë për një shpirt të këputur kështu është edhe lajmi i mirë nga një vend i largët.
26 Si një burim që është përbaltur dhe si një burim që është shkatërruar kështu është i drejti që lëkundet përpara të ligut.
27 Nuk është mirë të hash mjaltë me shumicë, dhe hulumtimi i lavdisë vetjake nuk është lavdi.
28 Si një qytet që është rrënuar e nuk ka mure, kështu është njeriu që nuk i vë fre frymës së vet.
Të gjithë librat
