Fjalët e Urta 24
1 Mos i ki zili njerëzit e këqij dhe mos dëshiro që të jesh me ta,
2 sepse zemra e tyre përsiat kërdisje dhe buzët e tyre flasin prapësi.
3 Shtëpia ndërtohet me urtësi dhe qëndron e patundur me mençuri,
4 dhe me anë të njohurisë dhomat e saj do të mbushen me çdo kamje të çmuar dhe të këndshme.
5 Njeriu i urtë është i fortë dhe njeriu i ditur bëhet edhe më i fortë.
6 Sepse luftën do ta bësh nën udhëzime dhe fitorja do të vijë me anë të shumë këshilluesve.
7 Urtësia është shumë e lartë për të pamendin; ai nuk do ta hapë gojën në portën e qytetit.
8 Ai që sajon të bëjë keq, atë do ta thërrasin mjeshtër të dredhive.
9 Intriga e marrëzisë është mëkat dhe përqeshësi është neveri për njeriun.
10 Nëse tregohesh i përtuar në ditën e ngushticës, forca jote është e paktë.
11 Liroji ata që po çohen drejt vdekjes dhe ata që shpien në vrasje, kurseji!
12 Nëse thua: "Po nuk e dinim këtë", a nuk do ta kuptojë ai që vlerëson zemrat, dhe ai që mbron jetën tënde, a nuk e di ai, dhe a nuk do t'ia shpërblejë njeriut sipas veprës së tij?
13 Ha mjaltë, biri im, sepse është i mirë, dhe mjalti i pjekur është i ëmbël për qiellzën zënde.
14 Dije se kështu është urtësia për shpirtin tënd. Nëse e ke gjetur, atëherë do të kesh të ardhme dhe pritshmëria jote nuk do të shuhet.
15 O i lig, mos zër pritë për banesën e të drejtit, mos e shkreto ahurin e tij.
16 Sepse i drejti do të bjerë shtatë herë dhe do të çohet, por të ligjtë do të pengohen në të keqen e tyre.
17 Mos gëzo nuk bie armiku yt dhe të mos ngazëllojë zemra jote kur ai pengohet,
18 që të mos e shohë Jahveh-u dhe do të jetë e keqe në sytë e tij dhe do ta largojë nga ai zemërimin e tij.
19 Mos u nxeh me ata që bëjnë keq; mos i ki zili të ligjtë.
20 Sepse i keqi nuk do të ketë të ardhme; kandili i të ligjve do të shuhet.
21 Biri im, ki frikë Jahveh-un dhe mbretin; mos u përziej me ata që bëjnë ndryshe.
22 sepse befas do të vijë fatkeqësia e tyre dhe batërdinë e atyre të dyve kush do ta dijë?
23 Edhe këto janë për të urtët, të mbajturit anë në gjykim nuk është mirë.
24 Atë që i thotë të ligut: "Ti je i drejtë", do ta mallkojnë popujt, do të zemërohen me të popujt.
25 Por do të jetë e këndshme për ata që e korrigjojnë, dhe mbi ta do të vijë një bekim i mirë.
26 Puth buzët ai që përgjigjet drejpërdrejt.
27 Vëre në vijë punën që ke përjashta, dhe bëj gati për veten çdo gjë në fushë, pastaj ndërto shtëpinë tënde.
28 Mos u bëj dëshmitar pa shkak kundër shokut tënd dhe mos mashtro me buzët e tua.
29 Mos thuaj: "Siç ma bëri mua, kështu do t'ia bëj atij. Do t'ia kthej tjetrit sipas veprës së tij".
30 Kalova pranë fushës së një burri përtac, dhe pranë vreshtit të një njeriu pa mend.
31 dhe ja, kudo ishin ngjitur barërat e egra, sipërfaqen ia kishin mbuluar hithrat, dhe gurët e avllisë së tij ishin rrënuar.
32 Dhe unë vështrova dhe vura re pashë e mora korrigjim.
33 "Pak gjumë, pak dremitje pak shtrirje duarkryq,
34 dhe varfëria jote do të vijë si një rrugaç dhe nevojat e tua si një shqytar.
Të gjithë librat
