Fjalët e Urta 23
1 Kur ulesh të hash bukë me një sundimtar, kushtoji mirë vëmendje atij që ke përpara
2 dhe vëri një thikë grykës sate, nëse je fytës.
3 Mos i lakmo ushqimet e tij të shijshme sepse ato janë bukë e rremë.
4 Mos u lodh me qëllim që të pasurohesh; me anë të aftësisë për të kuptuar hiq dorë.
5 Do t'i hedhësh sytë mbi të, por ajo nuk do të jetë më, sepse do të ketë nxjerrë krahë dhe si shqiponja do të ketë fluturuar drejt qiejve.
6 Mos e ha bukën e koprracit dhe mos i lakmo ushqimet e tij të shijshme,
7 sepse ai është si ai që ka bërë llogaritë në shpirtin e tij. "Ha dhe pi" do të të thotë, por zemra e tij nuk do të jetë me ty;
8 kafshatën që hëngre, do ta vjellësh dhe do të shkatërrosh fjalët e tua të këndshme.
9 Në veshët e të marrit mos fol, sepse do ta përçmojë zgjuarsinë e fjalëve të tua.
10 Mos e zhvendos gurin e lashtë të kufirit dhe në fushat e jetimëve mos u fut,
11 sepse ai që i shpengon, është i fortë; ai vetë do ta trajtojë çështjen e tyre kundër teje.
12 Sille zemrën tënde në korrigjim dhe veshin në thëniet e njohurisë.
13 Mos e përmbaj nga i riu korrigjimin; nëse e godet me shkop, nuk do të vdesë.
14 Ti do ta godasësh me shkop dhe do të shpëtosh shpirtin e tij nga Sheoli.
15 Biri im, nëse zemra jote është e urtë, do të gëzojë zemra ime, edhe unë;
16 edhe të përbrendshmet e mia do të gazmojnë kur buzët e tua të flasin atë që është e drejtë.
17 Le të mos i ketë zili mëkatarët zemra jote, përkundrazi le të jetë e zellshme për frikën ndaj Jahveh-ut gjithë kohën;
18 përkundrazi, do të kesh të ardhme dhe pritshmëria jote nuk do të shuhet.
19 Ti, biri im, dëgjo dhe ji i urtë, dhe drejtoje zemrën tënde në rrugën e duhur.
20 Mos ji ndër pijanecët e verës dhe ndër llupësat e mishit,
21 sepse pijaneci dhe llupësi do të varfërohen dhe përgjumja do t'i veshë me lecka.
22 Dëgjoje atin tënd që të lindi, dhe mos e përçmo nënën tënde ngaqë është plakë!
23 Blije të vërtetën dhe mos e shit, edhe urtësinë, dhe korrigjimin dhe kuptimin.
24 Ati i të drejtit patjetër do të ngazëllojë dhe ai që lindi të urtin, do të gëzojë për atë.
25 Le të gëzojë ati yt dhe nëna jote dhe le të ngazëllojë ajo që të lindi.
26 Biri im, ma jep mua zemrën tënde dhe sytë e tu le të mbajnë rrugët e mia,
27 sepse kurva është si një gropë e thellë dhe gruaja e huaj si një pus i ngushtë.
28 Vërtet, ajo zë pritë si hajduti dhe i shton të pabesët ndër njerëzit.
29 Për kë "vaj"? Për kë "medet"? Për kë ka sherre? Për kë ka ankim? Për kë ka plagë pa shkak? Për kë ka sy të errësuar?
30 Për ata që s'i ndahen verës, për ata që vijnë për të provuar verën e përzier.
31 Mos e shiko verën kur kuqëlon, kur shkëlqen në kupë, kur rrëshqet kollaj.
32 Në fund, të kafshon si gjarpri dhe të helmon si nepërka.
33 Sytë e tu do të shohin gjëra të çuditshme dhe zemra jote do të flasë gjëra të mbrapshta,
34 dhe do të jesh si një që shtrihet në zemër të detit dhe si një që shtrihet në majë të direkut.
35 "Më kanë goditur, por nuk u sëmura. Më kanë qëlluar, por nuk e kuptova. Kur do të zgjohem? Do ta kërkoj atë përsëri."
Të gjithë librat
