Fjalët e Urta 22
1 Më mirë të zgjedhësh një emër të mirë sesa pasuri të madhe; më mirë të kesh hir të mirë sesa argjend dhe ar.
2 I pasuri dhe skamnori janë takuar; Jahveh-u është ai që i ka bërë që të dy.
3 Mendjemprehti e ka parë të keqen dhe është fshehur, kurse naivët kanë kaluar dhe janë ndëshkuar.
4 Pasoja e përvujtërisë, frika e Jahveh-ut është pasuria dhe lavdia dhe jeta.
5 Në rrugën e të shtrembrit ka gjemba dhe çarqe; ai që ruan jetën e tij, rri larg tyre.
6 Stërvite të riun sipas rrugës së tij, edhe kur të plaket, nuk do të largohet prej saj.
7 I pasuri do të sundojë ndër skamnorët, por huamarrësi është skllav i huadhënësit.
8 Ai që mbjell padrejtësi, do të korrë paudhësi, dhe skeptri i furisë së tij do të marrë fund.
9 Bujari do të bekohet sepse i ka dhënë të vobektit nga buka e vet.
10 Dëboje përqeshësin dhe sherri do të ikë, dhe do të reshtin çështjet gjyqësore dhe turpërimi.
11 Ai që do një zemër të pastër dhe ka hir në buzët e tij, mbreti do të jetë shoku i tij.
12 Sytë e Jahveh-ut kanë ruajtur njohurinë dhe ai ka shtrembëruar fjalët e të pabesëve.
13 Përtaci ka thënë: "Është një luan përjashta! Do të vritem në mes të sheshit!".
14 Goja e grave të huaja është një gropë e thellë; ai me të cilin Jahveh-u është zemëruar, do të bjerë atje.
15 Marrëzia është e lidhur në zemrën e të riut; shkopi i korrigjimit do ta mbajë larg nga ai.
16 Ai që e shtyp të vobektin që t'i shtojë vetes dhe ai që i jep të pasurit, do të kenë veç mungesë.
17 Anoje veshin dhe dëgjo fjalët e të urtëve dhe kushtoja zemrën njohurisë sime,
18 sepse është e këndshme kur i mban brenda teje; janë përgatitur të gjitha për buzët e tua.
19 Që besimi yt të jetë në Jahveh-u po t'i bëj të njohura ty sot, po ty.
20 A nuk të kam shkruar tridhjetë gjëra në këshilla dhe njohuri
21 që të të bëj të njohësh vërtetësinë e thënieve të së vërtetës, që t'u kthesh atyre që të dërguan thëniet e së vërtetës?
22 Mos e vidh të vobektin ngaqë është i vobektë dhe mos e dërrmo të varfërin në portën e qytetit
23 sepse Jahveh-u do të trajtojë çështjen e tyre dhe do të marrë jetën e atyre që vjedhin ata.
24 Mos u shoqëro me zemërakun dhe me mllefqarin nuk do të përzihesh,
25 që të mos mësosh shtigjet e tij dhe të biesh vetë në kurth.
26 Mos ji ndër ata që tokin duart, as ndër ata që bëhen dorëtanë për borxhe,
27 nëse nuk ke si t'i paguash, përse duhet të të marrin edhe shtratin ku shtrihesh?
28 Mos e zhvendos gurin e lashtë të kufirit që kanë vënë etërti e tu!
29 Ke vështruar një njeri të zotë në punën e tij? Ai do të qëndrojë përpara mbretërve, por nuk do të qëndrojë përpara njerëzve të parëndësishëm.
Të gjithë librat
