Fjalët e Urta 21
1 Si vijat e ujërave është zemra e mbretit në dorën e Jahveh-ut, ai e prier ngado që i pëlqen.
2 Çdo rrugë e njeriut është e drejtë në sytë e tij, por ai që peshon zemrat është Jahveh-u.
3 Të bësh çfarë është drejtësi dhe e drejtë është më e parapëlqyer nga Jahveh-u sesa flijimi.
4 Sytë krenarë dhe zemra mendjemadhe — ugari i të ligjve — janë mëkat.
5 Planet e të zellshmit çojnë vetëm në begati, por çdokush që nxiton, përfundon vetëm në mungesë.
6 Të punuarit për thesare me gjuhë rrenacake, është avull që davaritet, për ata që kërkojnë vdekjen.
7 Kërdisja e të ligjve do t'i marrë zvarrë, sepse kanë refuzuar të bëjnë të drejtën.
8 E shtrembër është rruga e njeriut të fajshëm, por për të pastrin, puna e tij është e drejtë.
9 Më mirë të banosh në një qoshe çatie, sesa me një grua grindavece në të njëjtën shtëpi.
10 Shpirti i të ligut dëshiron të keqen; në sytë e tij nuk hirësohet i afërmi i tij.
11 Kur ndëshkohet përqeshësi, thjeshtaku bëhet i urtë, dhe kur mësohet i urti, ai merr njohuri.
12 I drejti e mban parasysh shtëpinë e të ligut, i plandos të ligjtë në të keqtë.
13 Ai që e mbyll veshin e tij ndaj klithmës së të vobektit, edhe ai vetë do të thërrasë, por nuk do të marrë përgjigje.
14 Dhurata e dhënë në fshehtësi e zbut zemërimin, dhe mita e dhënë nën dorë, mllefin e fortë.
15 Është gëzim për të drejtin të bëjë çfarë është e drejtë, por lemeri për ata që kryejnë paudhësi.
16 Njeriu që shmanget nga rruga e zgjuarsisë do të prehet në bashkësinë e hijeve.
17 Ai që do qejfin, do të bëhet njeri i skamur; ai që do verën dhe vajin, nuk do të pasurohet.
18 I ligu është shpërblesë për të drejtin dhe i pabesi, në vend të të drejtëve.
19 Më mirë të banosh në një tokë të shkretë sesa me një grua sherrxheshë dhe pezmatare.
20 Thesare të vyera dhe vaj ka në banesën e të urtit, por njeriu i marrë i gallëron ato.
21 Ai që ndjek drejtësinë dhe besëmirësinë, do të gjejë jetë, drejtësi dhe lavdi.
22 I urti u ngrit kundër qytetit të kreshnikëve dhe rrëzoi forcën në të cilën kishin besim.
23 Ai që ruan gojën e tij dhe gjuhën e tij, ruan jetën e tij nga ngushticat.
24 Krenari që është moskokëçarës — përqeshës është emri i tij — vepron me arrogancë të furishme.
25 Dëshirimi i përtacit do ta bëjë të vdesë sepse duart e tij refuzuan të punojnë.
26 Gjithë ditën ai ka dëshiruar ethshëm, kurse i drejti jep dhe nuk kursehet.
27 Flijimi i të ligjve është neveri, aq më shumë kur e sjellin me ligësi.
28 Dëshmitari i rremë do të shkatërrohet por njeriu që dëgjon, do të flasë përgjithnjë.
29 Njeriu i lig e bën të fortë fytyrën e tij, kurse i drejti u kushton vëmendje rrugëve të veta.
30 Nuk ka urti dhe nuk ka mençuri, dhe nuk ka këshillë përkundrejt Jahveh-ut.
31 Kali përgatitet për ditën e luftës, por shpëtimi i përket Jahveh-ut.
Të gjithë librat
