Fjalët e Urta 20
1 Vera është përqeshëse, pija dehëse është zhurmuese dhe çdokush që kalamendet nga ato, nuk është i urtë.
2 Si ulërima e një luani të ri është tmerri që shkakton mbreti; ai që e zemëron fort, mëkaton kundër shpirtit të vet.
3 Është nder për njeriun të reshtë nga grindja, por çdo i pamend shpërthen në grindje.
4 Përtaci nuk lëvron që nga dimri e në vazhdim, por do të kërkojë gjatë të korrave dhe nuk do të ketë asgjë.
5 Këshilla në zemrën e njeriut është si ujërat e thella, por një njeri i mençur e nxjerr në sipërfaqe.
6 Shumica e njerëzve shpallin se janë njerëz të besëmirësisë, por një njeri besnik kush mund ta gjejë?!
7 I drejti ecën në ndershmërinë e tij; lum bijtë e tij mbas tij!
8 Mbreti që rri ulur mbi fronin e gjykimit, davarit me sytë e tij çdo të keqe.
9 Kush mund të thotë: "E kam pastruar zemrën time, jam i dëlirë nga mëkati im"?
10 Peshat e ndryshme dhe masat e ndryshme, që të dyja janë neveri për Jahveh-un.
11 Edhe një i ri e tregon veten në veprimet e tij, nëse është e pastër dhe nëse është e drejtë vepra e tij.
12 Veshin që dëgjon dhe syrin që shikon, që të dy Jahveh-u i ka bërë.
13 Mos e duaj gjumin, përndryshe do të varfërohesh; hapi sytë dhe ngopu me bukë.
14 "I keq, i keq", thotë blerësi, por mbasi largohet, atëherë fillon të lavdërohet.
15 Ka ar dhe mbushulli margaritarësh, por një send i çmueshëm janë buzët e njohurisë.
16 Merrja rrobën, kur dikush është bërë dorëzanë për një të huaj, dhe mbaje peng atë për gruan e huaj.
17 E ëmbël është për një njeri, buka e fituar me rrenë, por më pas goja e tij do të mbushet me zhavorr.
18 Planet vendosen me këshillim; atëherë, bëje luftën me udhëzime drejtimi!
19 Ai që shkon vërdallë me shpifje, zbulon këshillime të fshehta, prandaj nuk do të përzihesh me atë që s'i qep buzët.
20 Atij që mallkon të atin dhe të ëmën, kandili i tij do të shuhet në mesin e errësirës.
21 Një trashëgimi që është fituar me nxitim në fillim, në fund nuk do të bekohet.
22 Mos thuaj: "Do ta shpaguaj të keqen!". Prit për Jahveh-un dhe ai do të të shpëtojë.
23 Janë neveri për Jahveh-un peshat e ndryshme, dhe peshorja me hile nuk është e mirë.
24 Nga Jahveh-u janë hapat e njeriut, atëherë si mund ta kuptojë njeriu rrugën e vet?
25 Është kurth për njeriun të thotë me ngut: "Është e shenjtë!" dhe më pas të shqyrtojë kushtet që ka lidhur.
26 Një mbret i urtë i davarit të ligjtë dhe kthen rrotën mbi ta.
27 Hukama e njeriut është kandili i Jahveh-ut, që bën kërkime në të gjitha pjesët e brendshme të barkut.
28 Besëmirësia dhe besnikëria e ruajnë mbretin, dhe me anë të besëmirësisë e mban fronin e tij.
29 Bukuria e djelmoshave është forca e tyre, ndërsa shkëlqimi i pleqve janë flokët e thinjura.
30 Vurratat që lë plaga, e spastrojnë të keqen, dhe goditjet spastrojnë pjesët e brendshme të barkut.
Të gjithë librat
