Fjalët e Urta 2
1 Biri im, nëse i pranon thëniet e mia dhe urdhërimet e mia i mban fshehur brenda teje,
2 për ta bërë veshin tënd që të dëgjojë me vëmendje urtinë, atëherë priere zemrën tënde ndaj mençurisë!
3 Se nëse thërret për aftësinë e të kuptuarit dhe për mençurinë e lëshon zërin tënd,
4 nëse e kërkon si argjendin dhe si për thesaret e fshehura bën kërkime për të,
5 atëherë do të kuptosh frikën e Jahveh-ut dhe njohjen e Perëndisë do ta gjesh.
6 Sepse Jahveh-u jep urti; prej gojës së tij vjen njohuri dhe mençuri.
7 Ai mban fshehur për të drejtët urti të shëndoshë, një mburojë për ata që ecin me ndershmëri,
8 që të ruajë udhët e së drejtës; dhe rrugën e besëmirëve të tij e mbron.
9 Atëherë do të kuptosh drejtësinë dhe të drejtën, dhe barazinë – çdo shteg të së mire –
10 sepse urtia do të hyjë në zemrën tënde dhe njohuria do të jetë e këndshme për shpirtin tënd.
11 Maturia do të të mbikëqyrë, mençuria do të të ruajë,
12 për të të hequr nga rruga e të keqit, nga njeriu që flet gjëra të mbrapshta;
13 nga ata që braktisin udhët e drejtësisë për të ecur në rrugët e errësirës;
14 nga ata që gëzohen kur bëjnë te keqen, që ngazëllojnë në mbrapshtitë e së keqes,
15 të cilët i kanë udhët e tyre të shtrembra dhe janë dredhues në shtigjet e tyre;
16 për të të hequr nga gruaja që nuk të është e lejuar, nga e huaja që me thëniet e saja bën lajkatim;
17 nga ajo që lë shokun e ngushtë të rinisë së saj dhe që besëlidhjen e Perëndisë së saj e ka harruar.
18 Sepse në vdekje është zhytur shtëpia e saj dhe te hijet zbresin shtigjet e saj.
19 Të gjithë ata që shkojnë tek ajo, nuk do të kthehen dhe as nuk do t'i arrijnë udhët e jetës.
20 Kështu që ti do të ecësh në rrugën e të mirëve dhe udhën e të drejtëve do të mbash.
21 Se të drejtët do të banojnë tokën dhe të ndershmit do të mbeten në të.
22 Por të ligjtë do të zhbihen prej tokës dhe të pabesët do të shkulen prej saj.
Të gjithë librat
