Fjalët e Urta 18
1 Ai që veçohet, kërkon dëshirimin e vet; ai shpërthen kundër çdo urtie të shëndoshë.
2 I marri nuk gjen kënaqësi në mençuri, por vetëm në të shfaqurit e zemrës së tij.
3 Me ardhjen e të ligut vjen edhe përçmimi, dhe me turpërimin vjen poshtërimi.
4 Fjalët e gojës së një njeriu janë ujëra të thella; burimi i urtisë është një përrua që rrjedh.
5 T'i mbash anën të ligut nuk është e mirë; as të përmbysësh të drejtin në gjykimin e tij.
6 Buzët e të marrit hyjnë në rragatje dhe goja e tij thërret për goditje.
7 Goja e të marrit është rrënim për të dhe buzët e tij janë kurth për shpirtin e tij.
8 Fjalët e pëshpëritësit janë si ushqimet të shijshme, dhe ato zbresin në pjesët e thella të barkut.
9 Edhe ai që tregohet i plogët në punën e tij është vëlla i atij që shkatërron.
10 Një kullë e fortë është emri i Jahveh-ut; në të vrapon i drejti dhe vendoset lart në siguri.
11 Kamja e të pasurit është qyteti i tij i fortë dhe është si një mur i lartë në përfytyrimin e tij.
12 Përpara rroposjes zemra e njeriut lartësohet, dhe përpara nderimit vjen përulësia.
13 Kur dikush kthen përgjigje përpara se të dëgjojë, kjo është për të marrëzi dhe çnderim.
14 Fryma e njeriut mund ta mbajë lëngatën e tij, por frymën e thyer kush mund ta durojë?!
15 Zemra që kupton, fiton njohuri, dhe veshi i të urtëve kërkon njohurinë.
16 Dhurata e një njeriu i bën vend atij dhe e çon përpara të mëdhenjve.
17 Kush flet i pari në çështjen e tij, duket i drejtë, por pastaj vjen tjetri dhe e heton atë.
18 Hedhja e shortit i bën të reshtin mosmarrëveshjet dhe i ndan punët ndërmjet të fuqishmëve.
19 Një vëlla i fyer është më i vështirë të fitohet sesa një qytet i fortë, dhe sherret janë si shuli i një saraji.
20 Nga fryti i gojës së njeriut do të ngopet barku i tij; me prodhimin e buzëve të tij do të ngopet.
21 Vdekja dhe jeta janë në dorë të gjuhës, dhe ata që e duan atë, hanë frytin e saj.
22 Kush ka gjetur grua, ka gjetur të mirën dhe ka siguruar hatër prej Jahveh-ut.
23 Skamnori flet me përgjërime, ndërsa i pasuri përgjigjet vrazhdë.
24 Njeriu me shumë shokë, mund të përfundojë në rrënim, por ka edhe mik që është më i ngushtë se një vëlla.
Të gjithë librat
