Fjalët e Urta 17
1 Më mirë një kafshatë e thatë dhe rehati me të, sesa një shtëpi plot ushqime flijimesh me grindje.
2 Skllavi i zgjuar do të sundojë mbi birin që turpëron dhe në mes të vëllezërve do të marrë trashëgimi.
3 Shkritorja është për argjendin dhe furra për arin, por zemrat i provon Jahveh-u.
4 Keqbërësi i dëgjon me vëmendje buzët e paudha; gënjeshtari ia vë veshin gjuhës rrënuese.
5 Ai që përqesh skamnorin, ka poshtëruar Bërësin e tij; ai që gëzohet për fatkeqësinë, nuk do të mbetet i pandëshkuar.
6 Kurora e pleqve janë bijtë e bijve, ndërsa bukuria e bijve janë etërit e tyre.
7 Të folurit e ngritur nuk është i përshtatshëm për budallain, aq më pak të folurit e rremë për fisnikun.
8 Mita është një gur magjik në sytë e zotëruesit të saj, ngado që kthehet ia del mbanë.
9 Ai që mbulon një shkelje, kërkon dashuri, por ai që i rikthehet një çështjeje, ndan shokët e ngushtë.
10 Më thellë shkon një qortim në një njeri që kupton sesa njëqind goditje te një i marrë.
11 Një njeri i keq kërkon vetëm rebelim, atëherë, një lajmëtar mizor do të dërgohet kundër tij.
12 Le të takojë njeriu një arushë që ia kanë rrëmbyer të vegjlit, por jo një të marrë në marrëzinë e tij.
13 Atij që e kthen të mirën me të keqe, e keqja nuk do të largohet prej shtëpisë së tij.
14 Fillimi i sherrit është si lëshimi i ujërave; atëherë braktise grindjen përpara se të plasë.
15 Ai që përligj të ligun dhe ai që dënon të drejtin, janë që të dy ata neveri për Jahveh-un.
16 Përse ka një çmim në dorën e të marrit për të blerë urti, kur ai nuk ka mend?
17 Në çdo kohë të do shoku, dhe një vëlla lind për kohë ngushtice.
18 Njeriu që nuk ka mend, tok duart dhe bëhet dorëzanë përpara të afërmit të tij.
19 Ai që do shkeljen, do zënkë; ai që e bën të lartë portën e tij, kërkon rroposje.
20 Ai që është i çoroditur në zemër, nuk do të gjejë të mirë, dhe ai që është i shthurur në gjuhën e tij, do të bjerë në të keqe.
21 Ai që lind një të marrë e ka për pikëllim të vet, dhe ati i budallait nuk do të gëzojë.
22 Zemra e gëzuar është një mjekim i mirë, por fryma e thyer i than kockat.
23 I ligu merr mitë nën dorë për të shtrembëruar shtigjet e së drejtës.
24 Në praninë e aij që kupton është urtia, por sytë e të marrit shkojnë në skajin e tokës.
25 Një bir i marrë është pezmatim për të atin dhe hidhërim për atë që e lindi.
26 Edhe të gjobitësh të drejtin nuk është e mirë, as të godasësh fisnikët për drejtësinë e tyre.
27 Ai që i përmban fjalët e tij, ka njohuri, dhe ai që ka një frymë të qetë, është burrë i mençur.
28 Edhe i pamendi, kur rri në heshtje, konsiderohet i urtë; ai që i mban mbyllur buzët e tij, konsiderohet njeri që kupton.
Të gjithë librat
