Fjalët e Urta 16
1 Njeriut i përkasin planifikimet e zemrës, por nga Jahveh-u vjen përgjigjja e gjuhës.
2 Të gjitha rrugët e njeriut janë të pastra në sytë e tij, por frymërat i peshon Jahveh-u.
3 Besoja Jahveh-ut veprat e tua dhe planet e tua do të zënë vend.
4 Jahveh-u ka bërë gjithçka për qëllimin e tij, madje edhe të ligun për ditën e keqe.
5 Neveri për Jahveh-un është çdo njeri kryelartë në zemër; ji i sigurt që nuk do të mbetet i pandërshkuar.
6 Me besëmirësi dhe besnikëri shlyhet paudhësia, dhe me frikën e Jahveh-ut largohesh nga e keqja.
7 Kur Jahveh-ut i pëlqejnë rrugët e një njeriu, edhe armiqtë e tij ai i bën të jenë në paqe me të.
8 Më mirë e pakta me drejtësi sesa të ardhura të shumta me pa të drejtë.
9 Zemra e njeriut planifikon rrugën e tij, por Jahveh-u i bën të qëndrueshme hapat e tij.
10 Verdikti hyjnor është në buzët e mbretit; në gjykim, goja e tij nuk duhet të veprojë gabim.
11 Kandari dhe peshoret e drejta i përkasin Jahveh-ut; vepër e tij janë të gjithë gurët e peshës në qese.
12 Është neveri për mbretërit që të bëjnë ligësi, sepse froni bëhet i qëndrueshëm me drejtësi.
13 Buzët e drejta janë pëlqim për mbretërit, dhe atë që flet drejt, e duan.
14 Mllefi i mbretit është si lajmëtarët e vdekjes, por një burrë i urtë do ta pajtojë mllefin.
15 Në dritën e fytyrës së mbretit ka jetë, dhe hatri i tij është si reja e shiut pranveror.
16 Sa më mirë është të ftosh urti sesa ar! Dhe të ftosh të kuptuarit do të thotë të zgjedhësh përmbi argjendin.
17 Udha e të drejtëve është që të ketë largim nga e keqja; mbron shpirtin e tij ai që e ruan rrugën e tij.
18 Përpara rroposjes vjen madhështia, dhe përpara rrëzimit, fryma e lartësuar.
19 Më mirë të jesh i përulur në frymë me të përvuajturit sesa të ndash plaçkën me mendjemëdhenjtë.
20 Ai që tregon vëmendje ndaj fjalës, do të gjejë të mirë, dhe ai që ka besim në Jahveh-un, është i lum.
21 Një i urtë në zemër thirret njeri që kupton, dhe ëmbëlsia e buzëve e shton nxënien.
22 Zgjuarsia është burim jete për atë që e zotëron, por korrigjimi i të pamendëve është marrëzi.
23 Zemra e të urtit e bën të zgjuar gojën e tij dhe ua shton nxënien buzëve të tij.
24 Si huall mjalti janë thëniet e ëndshme; të ëmbla për shpirtin dhe shërim për kockat.
25 Ka një rrugë që duket e drejtë në sytë e njeriut, por fundi i saj është rruga e vdekjes.
26 Oreksi i punëtorit punon për të, sepse e nxit atë goja e vet.
27 Njeriu i pavlerë gërmon të keqen dhe në buzët e tij është si një zjarr përvëlues.
28 Njeriu i mbrapshtë sjell sherr dhe pëshpëritësi ndan shokët e ngushtë.
29 Njeriu i dhunshëm e josh të afërmin e tij dhe e bën të ecë në rrugë jo të mirë.
30 Ai që shkel syrin, e bën që të sajojë mbrapshtira; ai që kafshon buzët, e ka përfunduar të keqen.
31 Flokët e thinjur janë kurorë bukurie; ajo gjendet në rrugën e drejtësisë.
32 Më mirë një i ngadalshëm në zemërim sesa një kreshnik, dhe një që sundon frymën e vet, sesa dikush që pushton një qytet.
33 Shorti hidhet në prehër, por çdo vendim që ai jep, vjen nga Jahveh-u.
Të gjithë librat
