Fjalët e Urta 15
1 Një përgjigje e butë e zmbraps mllefin, por një fjalë lënduese ngjall zemërim.
2 Gjuha e të urtëve e përdor mirë njohurinë, ndërsa goja e të marrëve qet jashtë marrëzi.
3 Në çdo vend janë sytë e Jahveh-ut, duke vëzhguar të këqijtë dhe të mirët.
4 Gjuha shëruese është pemë jete, ndërsa mbrapshtia në gjuhë e dërrmon frymën.
5 Një i pamend e përbuz korrgjimin e të atit, ndërsa ai që pranon qortimin, është mendjemprehtë.
6 Shtëpia e të drejtit ka thesare të shumta, ndërsa në të ardhurat e të ligut ka telashe.
7 Buzët e të urtëve përhapin njohuri, por zemra e të marrëve nuk bën kështu.
8 Flijimi i të ligjve është neveri për Jahveh-un, ndërsa lutja e të drejtëve është e pëlqyeshme për të.
9 Është neveri për Jahveh-un rruga e të ligut, por atë që ndjek drejtësinë, ai e do.
10 Korrigjimi i ashpër është për atë që braktis udhën; ai që urren qortimin, do të vdesë.
11 Sheoli dhe Abadoni janë përballë Jahveh-ut, aq më shumë zemrat e bijve të njeriut.
12 Përqeshësi nuk e do dikë që e qorton atë; ai nuk shkon te të urtët.
13 Zemra e gëzuar e çel fytyrën, por nga dhembja e zemrëz, fryma është e thyer.
14 Zemra e atij që kupton, kërkon njohuri, ndërsa goja e të marrëve kullot nëpër marrëzi.
15 Të gjitha ditët e të mjerit janë të këqija, ndërsa ai me zemër gazmore, ka vazhdimisht gosti.
16 Më mirë pak me frikën e Jahveh-ut sesa një thesar të madh dhe trazim me të.
17 Më mirë një racion perime ku ka dashuri sesa një ka i majmur dhe urrejtje bashkë me të.
18 Një njeri i mllefosur ndez sherr, ndërsa ai që është i ngadalshëm në zemërim, e qetëson rragatjen.
19 Rruga e përtacit është si gardh me driza, por udha e të drejtëve është e shtruar.
20 Një bir i urtë e gëzon të atin, por një njeri i marrë e përbuz nënën e tij.
21 Marrëzia është gëzim për atë që nuk ka mend, por njeriu i mençur ecën drejt.
22 Planet dështojnë kur nuk ka këshillim, por me morinë e këshilltarëve, ato arrihen.
23 Njeriu ka gëzim kur jep përgjigjen e duhur, dhe një fjalë e thënë në kohën e vet, sa e mirë është!
24 Shtegu i jetës çon përpjetë për të zgjuarin, me qëllim që ai të largohet nga Sheoli përposhtë.
25 Shtëpinë e mendjemëdhenjve Jahveh-u do ta shembë, por do ta bëjë të qëndrojë kufirin e vejushës.
26 Janë neveri për Jahveh-un mendimet e të keqit, por thëniet e ëndshme janë të pastra.
27 Ai që lakmon përfitime i sjell telashe shtëpisë së vet, por ai që i urren dhuratat, do të jetojë.
28 Zemra e të drejtit përsiat se si të përgjigjet, ndërsa goja e të ligjve qet jashtë të këqija.
29 Jahveh-u është larg nga të ligjtë, por lutjen e të drejtëve e dëgjon.
30 Ndriçimi i syve e gëzon zemrën; një lajm i mirë i dhjamos kockat.
31 Veshi që e dëgjon një qortim jetëdhënës, në mes të të urtëve do të bëjë konak.
32 Ai që e shpërfill korrigjimin, përçmon shpirtin e tij, por ai që e dëgjon qortimin, fiton mend.
33 Frika e Jahveh-ut është korrigjim për urtësi, dhe përpara nderimit vjen përulësia.
Të gjithë librat
