Fjalët e Urta 14
1 Çdo grua e urtë ndërton shtëpinë e saj, ndërsa e marra e shemb me duart e veta.
2 Ai që ecën në drejtësinë e vet, ka frikë Jahveh-un, ndërsa ai që dredhon në rrugët e tij, e përbuz atë.
3 Në gojën e të pamendit ka një purtekë fodullëku, por buzët e të urtëve do t'i mbrojnë ata.
4 Kur nuk ka gjedhë, grazhdi është i pastër, por mbushullia e prodhimeve vjen me forcën e kaut.
5 Dëshmitari besnik nuk gënjen, ndërsa dëshmitari i rremë nxjerr gënjeshtra.
6 Përqeshësi kërkoi urti, por nuk gjeti, ndërsa për atë që kupton, njohuria është e lehtë.
7 Largohu nga prania e një njeriu të marrë, meqenëse nuk ke gjetur tek ai buzë njohurie.
8 Urtësia e mendjemprehtit është që ai të kuptojë rrugën e tij, por marrëzia e të marrëve është hile.
9 Të pamendët e përqeshin fajin, por ndërmjet të drejtëve ka pëlqim.
10 Zemra e njeh hidhërimin e vet dhe me gëzimin e saj nuk bëhet pjesë një tjetër.
11 Shtëpia e të ligjve do të shkatërrohet, por çadra e të drejtëve do të lulëzojë.
12 Ka një rrugë që duket e drejtë në sytë e njeriut, por fundi i saj është rruga e vdekjes.
13 Edhe në qeshje zemra mund të jetë në dhembje, dhe fundi i gëzimit mund të jetë pikëllim.
14 Një që është i tërhequr në zemër, do të ngopet me rrugët e tij, dhe një njeri i mirë do të ngopet me ato të vetat.
15 Thjeshtaku i beson çdo fjale, ndërsa mendjemprehti u kushton vëmendje hapave të vet.
16 I urti ka frikë dhe largohet nga e keqja, ndërsa i marri shfren me zemërim dhe ka besim te vetja.
17 Ai që zemërohet shpejt bën marrëzira, dhe njeriu dredharak urrehet.
18 Thjeshtakët kanë trashëguar marrëzi, por mendjemprehtët do të kurorëzohen me njohuri.
19 Të këqijtë do të përkulen përpara të mirëve dhe të ligjtë pranë portave të të drejtëve.
20 Edhe nga i afërmi i tij urrehet skamnori, por ata që e duan të pasurin janë të shumtë.
21 Ai që përçmon të afërmin e tij, mëkaton, por ai që ka hir për të varfrit, është i lum.
22 A nuk do të shmangen nga udha ata që kurdisin të keqen?! Por besëmirësia dhe besnikëria janë për ata që punojnë të mirën.
23 Në çdo mundim ka begati, por thjesht fjalët e buzëve çojnë vetëm në mungesë.
24 Kurora e të urtëve është pasuria e tyre; marrëzia e të marrëve është thjesht marrëzi.
25 Dëshmitari i vërtetë liron shpirtra, ndërsa dëshmitari hileqar nxjerr gënjeshtra.
26 Në frikën e Jahveh-ut ka njeriu besim të fortë dhe ai do të jetë strehë për bijtë e tij.
27 Frika e Jahveh-ut është burim jete, për t'u larguar nga kurthet e vdekjes.
28 Lavdia e mbretit qëndron në morinë e popullit, ndërsa në mospasjen e një populli qëndron rrënimi i dinjitarit.
29 Ai që është i ngadalshëm në zemërim, ka mençuri të madhe, por ai që është i papërmbajtur në frymë, ngre lart marrëzinë.
30 Zemra e qetë është jetë për mishin, ndërsa xhelozia është kalbje për kockat.
31 Ai që shtyp të vobektin, ka poshtëruar Bërësin e tij, por ai që është i hirshëm me nevojtarin, e nderon atë.
32 I ligu do të gremiset nga e keqja e tij, por i drejti strehohet edhe në vdekjen e tij.
33 Urtia pushon në zemrën e atij që kupton, por edhe në mes të të marrëve bëhet e njohur.
34 Drejtësia e lartëson një komb, ndërsa turpi i popujve është mëkati.
35 Pëlqimi i mbretit është për një skllav të zgjuar, ndërsa furia e tij është ndaj atij që turpëron.
Të gjithë librat
