Fjalët e Urta 12
1 Ai që e do korrigjimin, do njohurinë, por ai që e urren qortimin, është i trashë.
2 I miri do të arrijë pëlqim nga Jahveh-u, ndërsa burrin dredharak do ta dënojë.
3 Asnjeri nuk do të jetë i qëndrueshëm me anë të ligësisë, por rrënja e të drejtëve nuk do të lëkundet.
4 Një grua e zonja është kurora e bashkëshortit të saj, por si kablësirë në kockat e tij është ajo që e turpëron.
5 Mendimet e të drejtëve janë të drejta; udhëzimet e të ligjve janë hileqare.
6 Fjalët e të ligjve zënë pritë për gjak, por goja e të drejtëve do t'i lirojë ata.
7 Të ligjtë përmbysen e nuk janë më, por shtëpia e të drejtëve do të qëndrojë.
8 Burri lavdërohet sipas zgjuarsisë së tij, por ai që është i shtrembër në mendje, përfundon në përçmim.
9 Më i mirë është një që vlerësohet pak dhe ka një skllav sesa ai që mbivlerëson veten, por nuk ka bukë.
10 I drejti kujdeset për jetën e kafshës së tij, por përdëllimet e të ligjve janë mizore.
11 Ai që punon arën e tij, do të ngopet me bukë por ai që ndjek gjëra boshe, nuk ka mend.
12 I ligu ka dëshiruar fortesën e të këqijve, por rrënja e të drejtëve do të japë fryt.
13 Në shkeljen e buzëve të tij zihet në kurth i keqi, por i drejti del nga ngushtica.
14 Nga fryti i gojës së vet burri do të ngopet me të mira dhe shpërblimi i punës së duarve të njeriut do t'i kthehet atij.
15 Rruga e të pamendit është e drejtë në sytë e tij, por ai që dëgjon këshillën, është i urtë.
16 Sa për të pamendin, pezmi i tij njihet menjëherë, por mendjemprehti e mbulon turpërimin.
17 Kush shprehet me besnikëri, tregon drejtësi, ndërsa dëshmitari i rremë flet me hile.
18 Ka njerëz që flasin ngutshëm si vrull shpate, por gjuha e të urtëve sjell shërim.
19 Buzët që thonë të vërtetën, do të jenë të qëndrueshme përgjithmonë, por gjuha rrenacake është vetëm për një çast.
20 Hile ka në zemrën e atyre që kurdisin të keqen, por tek ata që këshillojnë për paqe ka gëzim.
21 Nuk do t'i ndodhë të drejtit asnjë fatkeqësi, por të ligjtë janë mbushur me të këqija.
22 Janë neveri për Jahveh-un buzët rrenacake, por ata që veprojnë me besnikëri, janë pëlqimi i tij.
23 Njeriu mendjemprehtë e mbulon njohurinë, por zemra e të marrëve shpall marrëzi.
24 Dora e të zellshmëve do të sundojë, ndërsa dora përtace do të bëjë punë të detyruar.
25 Ankthi në zemrën e njeriut e rëndon atë, por një fjalë e mirë e gëzon atë.
26 I drejti bëhet i njohur nga shoku i tij, por rruga e të ligjve i bën të enden.
27 Përtaci nuk e pjek gjahun e tij, por kamja e një njeriu është e çmuar për të zellshmin.
28 Në shtegun e drejtësisë ka jetë dhe në rrugën e atij shtegu nuk ka vdekje.
Të gjithë librat
