Fjalët e Urta 11
1 Peshorja me hile është neveri për Jahveh-un, por një gur peshoreje i saktë është ai që i pëlqen.
2 Kur vjen krenaria, vjen edhe turpërimi, ndërsa me modestët është urtia.
3 Ndershmëria e të drejtëve i udhëheq ata, por shtrembëria e të pabesëve i shkreton këta.
4 Nuk vlen kamja në ditën e tërbimit, por drejtësia të liron nga vdekja.
5 Drejtësia e të ndershmit e rrafshon rrugën e tij, por i ligu bie në ligësinë e vet.
6 Drejtësia e të drejtëve i liron ata, por të pabesët kapen në gjakimin e tyre.
7 Kur vdes një njeri i lig, humbet pritshmëria e tij; edhe shpresa e forcës burrërore ka humbur.
8 I drejti çlirohet nga ngushtica dhe i ligu bie në gjendjen e tij.
9 Me gojën e tij i papërshpirtshmi shkatërron të afërmin e tij, por me anë të njohurisë, të drejtët çlirohen.
10 Kur të drejtët janë në mirësi, ka shend qyteti dhe kur humbasin të ligjtë ka brohori.
11 Me anë të bekimit të të drejtëve lartësohet qyteti dhe me gojën e të ligjve rrënohet.
12 Ai që përçmon të afërmin e tij, nuk ka mend, ndërsa një burrë i mençur rri në heshtje.
13 Ai që shkon vërdallë me shpifje, zbulon këshillime të fshehta, por ai që është i besueshëm në frymë, e mbulon një çështje.
14 Kur nuk ka udhëzime drejtimi, populli bie, por ka shpëtim, kur ka mori këshilltarësh.
15 Njeriu do ta pësojë shumë keq, kur është bërë dorëzanë për një të huaj, por ai që urren tokjen e duarve, do të ketë siguri.
16 Gruaja e hirshme e mban fort nderin, ndërsa mizorët mbajnë fort pasurinë.
17 Burri besëmirë i bën mirë shpirtit të vet, ndërsa mizori i sjell shqetësime mishit të vet.
18 I ligu fiton një shpërblim të rremë, por ai që mbjell drejtësi, një pagë të vërtetë.
19 Kush është i palëkundur në drejtësi, do të shkojë në jetë, por ai që ndjek të keqen, do të shkojë në vdekje.
20 Janë neveri për Jahveh-un të çoroditurit në zemër, por ata që janë të pacen në rrugën e tyre, janë pëlqimi i tij.
21 Ji i sigurt që i keqi nuk do të mbetet i pandëshkuar, por pasardhja e të drejtëve ka për t'u çliruar.
22 Si një unazë ari në hundën e derrit të egër është një grua e bukur që nuk ka maturi.
23 Dëshirimi i të drejtëve është vetëm e mira; pritshmëria e të ligjve është tërbimi.
24 Është dikush që shpërndan, por i shtohet edhe më shumë dhe është dikush që e mban atë që është e drejtë të jepet, por ka vetëm mungesë.
25 Shpirti që bekon do të begatohet, dhe ai që ngin, edhe ai vetë do të ngihet.
26 Atë që mban grurin për vete, populli do ta mallkojë, por ka bekim mbi kryet e atij që e shet grurin.
27 Ai që kërkon ethshëm të mirën, kërkon pëlqim, por ai që kërkon të keqen, ajo do t'i vijë atij.
28 Ai që ka besim në pasurinë e tij, ai vetë do të bjerë, por të drejtët do të bulëzojnë si gjethja.
29 Ai që i sjell telashe shtëpisë së tij, do të trashëgojë erën dhe i pamendi do të bëhet skllav i të urtit nga zemra.
30 Fryti i të drejtit është pemë jete dhe ai që fiton shpirtra, është i urtë.
31 Nëse i drejti do të shpërblehet këtu mbi tokë, aq më shumë i ligu dhe mëkatari!
Të gjithë librat
