Fjalët e Urta 10
1 Fjalët e urta të Solomonit. Një bir i urtë e gëzon të atin, por një bir i marrë është pikëllimi i nënës së tij.
2 Nuk sjellin përfitim thesaret e nxjerra prej ligësisë, ndërsa drejtësia të liron nga vdekja.
3 Jahveh-u nuk lejon të uritet fyti i të drejtit dhe gjakimin e të ligjve e flak.
4 Pëllëmba e përtacisë e bën një njeri skamës, por dora e të zellshmëve pasuron.
5 Ai që grumbullon gjatë verës, është një bir i zgjuar; ai që fle thellë gjatë korrjes, është një bir që turpëron.
6 Bekime ka mbi kokën e të drejtit, por goja e të ligjve e mbulon dhunën.
7 Kujtimi i të drejtit është për bekim, ndërsa emri i të ligjve do të kalbet.
8 I urti nga zemra do t'i pranojë urdhërimet, por i pamendi nga buzët do të bjerë në rrënim.
9 Ai që ecën në ndershmëri, do të ecë në siguri, por ai që i shtrembëron rrugët e tij, do të dalë zbuluar.
10 Ai që shkel syrin, shkakton lëndim dhe i pamendi nga buzët do të bjerë në rrënim.
11 Burim jete është goja e të drejtit, por goja e të ligjve e mbulon dhunën.
12 Urrejtja nxit ngatërresa, por të gjitha shkeljet i mbulon dashuria.
13 Në buzët e atij që kupton, gjendet urti, ndërsa shkopi është për kurrizin e atij që është i mangët nga mendja.
14 Të urtët e bëjnë thesar njohurinë, por goja e të pamendit është një rrënim i afërt.
15 Kamja e të pasurit është qyteti i tij i fortë; rrënimi i të vobektëve është varfëria e tyre.
16 Shpërblimi i të drejtit çon në jetë; të ardhurat e të ligut çojnë në mëkat.
17 Udhës për në jetë është ai që mban korrigjimin, por ai që lë pas dore qortimin, e shmang veten nga udha.
18 Ai që e mbulon urrejtjen, ka buzë rrenacake dhe ai që përhap thashetheme – ai është i marrë.
19 Në shumësinë e fjalëve, shkelja nuk ndalon, por ai që i përmban buzët e tij, është i zgjuar.
20 Argjend i zgjedhur është gjuha e të drejtit; zemra e të ligjve ka pak vlerë.
21 Buzët e të drejtit ushqejnë shumë veta, por të pamendët vdesin për mungesë mendsh.
22 Vetë bekimi i Jahveh-ut pasuron dhe ai nuk shton mundim me të.
23 Si shaka është për të marrin, kur bën një ligësi, dhe po kështu është urtia për një njeri të mençur.
24 Vetë ajo që e ka tmerr i ligu do të vijë mbi të, por ajo që dëshirojnë të drejtët, do t'u jepet atyre.
25 Kur kalon tufani, atëherë i ligu nuk është më, por i drejti ka një themel të përjetshëm.
26 Si uthulla për dhëmbët dhe si tymi për sytë, kështu është përtaci për ata që e dërgojnë.
27 Frika e Jahveh-ut i shton ditët e jetës, por vitet e të ligjve do të shkurtohen.
28 Shpresa e të drejtëve është gëzim, por pritshmëria e të ligjve do të humbasë.
29 Vendmbrojtje për të ndershmin është rruga e Jahveh-ut, por rrënim për ata që kryejnë paudhësi.
30 I drejti nuk do të tundet kurrë, ndërsa të ligjtë nuk do të banojnë mbi tokë.
31 Goja e të drejtit jep si fryt urti, por gjuha e mbrapshtë do të pritet.
32 Buzët e të drejtit e dinë çfarë është e pëlqyeshme, ndërsa goja e të ligjve di mbrapshtira.
Të gjithë librat
