Fjalët e Urta 1
1 Fjalët e urta të Solomonit, birit të Davidit, mbretit të Izraelit:
2 për të njohur urtinë dhe korrigjimin; për të kuptuar thënie që kanë kuptim;
3 për të marrë korrigjim që çon në zgjuarsi, në drejtësi dhe në të drejtë, dhe në barazi;
4 për t'u dhënë të thjeshtëve mprehtësi, të riut njohuri dhe maturi;
5 (Le të dëgjojë i urti dhe le ta shtojë të nxënit; edhe ai që kupton le të fitojë udhëzime drejtimi).
6 për të kuptuar një fjalë të urtë dhe një enigmë, fjalët e të urtëve dhe gjëegjëzat e tyre.
7 Frika e Jahveh-ut është fillimi i njohurisë; urtinë dhe korrigjimin i përçmojnë të pamendët.
8 Dëgjo, o biri im, korrigjimin e atit tënd dhe mos e lër në harresë porosinë e nënës sate,
9 sepse ato janë si lulevarg hiri për kokën tënde dhe si gjerdan për qafën tënde.
10 Biri im, nëse të joshin mëkatarët, mos prano.
11 Nëse të thonë: "Eja me ne! Të zëmë pritë për gjak; të rrimë fshehur në pusi për të pafajshmin, pa shkak;
12 t'i gëlltisim të gjallë si Sheoli, dhe shëndoshë e mirë, si ata që zbresin në gropë.
13 Çdo lloj kamjeje të kushtueshme do të gjejmë, do t'i mbushim shtëpitë tona me plaçkë;
14 shortin tënd do ta hedhësh në mes nesh, një kuletë të vetme do të ketë për të gjithë ne",
15 ti, biri im, mos ec në rrugë bashkë me ta, përmbaje këmbën tënde nga shtegu i tyre,
16 sepse këmbët e tyre, për të keqen vrapojnë, dhe nxitojnë për të derdhur gjak.
17 Se s'ka arsye që të shtrihet rrjeta para syve të çfarëdo shpendi,
18 por ata zënë pritë për gjakun e vet, rrinë fshehur në pusi për jetët e veta.
19 Kështu janë udhët e çdokujt që lakmon përfitime; ai ia merr jetën zotëruesve të saj.
20 Urtia gërthet në rrugë, në sheshe lëshon zërin e saj.
21 Në krye të shesheve gumëzhitëse thërret, në hyrjet e portave, në qytet, thëniet e saja ligjëron:
22 "Deri kur, o thjeshtakë, do ta doni thjeshtësinë? Dhe deri kur përqeshësit do ta dëshirojnë përqeshjen, dhe të marrët do ta urrejnë njohurinë?
23 Kthehuni drejt qortimit tim! Ja, do ta derdh te ju frymën time, do t'ju bëj të njohura juve fjalët e mia.
24 Ngaqë unë thirra dhe ju refuzuat, unë shtriva dorën time dhe nuk qe asnjë që dëgjon me vëmendje,
25 por e shpërfillët gjithë këshillën time dhe qortimin tim nuk e keni dashur.
26 Unë, gjithashtu, në fatkeqësinë tuaj do të qesh; do të përqesh kur të vijë tmerrimi juaj,
27 kur të vijë si stuhi tmerrimi juaj dhe kur fatkeqësia juaj si tufan do të pllakosë; kur të vijë mbi ju ngushticë dhe shtrëgim.
28 Atëherë ata do të më thërrasin, por unë nuk do të përgjigjem; do të më kërkojnë, por nuk do të më gjejnë.
29 Për shkak se kanë urryer njohurinë dhe frikën e Jahveh-ut nuk kanë zgjedhur,
30 nuk kanë dashur këshillën time, kanë përbuzur gjithë qortimin tim,
31 atëherë, ata do të hanë nga fryti i rrugës së tyre dhe me këshillat e tyre do të ngopen.
32 Se prapakthimi i thjeshtakëve do t'i vrasë këta dhe rehatia e të marrëve do t'i shkatërrojë këta.
33 Por ai që më dëgjon do të banojë në siguri dhe do të jetë i qetë prej tmerrimit nga e keqja".
Të gjithë librat
