Letra drejtuar Filipianëve 3
1 Së fundi, vëllezërit e mi, gëzohuni në Zotin! T'ju shkruaj të njëjtat gjëra, për mua nuk është e bezdisshme, ndërsa për ju është sigurim.
2 Kini kujdes nga qentë! Kini kujdes nga punëtorët e këqij! Kini kujdes nga prerja në mish!
3 Se ne jemi rrethprerja, ne që i ofrojmë shërbesë Perëndisë në Frymë dhe që mburremi në Krishtin Jezus, dhe që nuk kemi besim në mish;
4 edhe pse unë kam arsye për të pasur besim edhe në mish. Nëse dikush tjetër pandeh se ka arsye për të pasur besim në mish, unë kam më tepër:
5 sa për rrethprerjen, jam rrethprerë ditën e tetë, jam prej racës së Izraelit, prej fisit të Beniaminit, hebre prej hebrenjsh; sa për Ligjin, farise;
6 sa për zellin, një që ka përndjekur kishën; sa për drejtësinë që është në Ligj, i bërë i pafajësueshëm.
7 Por ato që më ishin fitim, këto i kam çmuar për shkak të Krishtit humbje.
8 Po për më tepër edhe i çmoj të gjitha se janë humbje, për shkak të epërsisë së njohjes së Krishtit Jezus, Zotit tim, për shkak të të cilit i humba të gjitha dhe i çmoj se janë plehra, me qëllim që të fitoj Krishtin
9 dhe të gjendem në të, duke mos pasur një drejtësi timen, atë që është prej Ligjit, por atë që është nëpërmjet besimit në Krishtin, drejtësinë prej Perëndisë, që mbështetet mbi besimin;
10 që të njoh atë dhe fuqinë e ringjalljes së tij, dhe përbashkësinë e vuajtjeve të tij, duke qenë i ngjashëm me vdekjen e tij,
11 që nëse disi të mund të arrij në ringjalljen e të vdekurve.
12 Jo se tashmë e mora, apo tashmë jam përsosur, por po e ndjek që edhe të mund ta kap atë për të cilën edhe u kapa nga Krishti Jezus.
13 Vëllezër, unë për veten time nuk mendoj ta kem kapur, por bëj një gjë: duke harruar, nga njëra anë, ato që janë mbrapa dhe duke u zgjatur, nga ana tjetër, drejt atyre që janë përpara,
14 po ndjek pas synimin për çmimin e thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus.
15 Prandaj, gjithë sa jemi të përsosur, këtë të mendojmë; dhe nëse diçka e mendoni ndryshe, edhe këtë Perëndia do t'jua zbulojë.
16 Sidoqoftë, në atë çfarë arritëm, le të vijojmë sipas së njëjtës rregulle, le të mendojmë të njëjtën gjë.
17 Bëhuni bashkimituesit e mi, vëllezër, dhe këqyrni ata që ecin kështu, ashtu siç na keni shembull ne.
18 Se shumë po ecin, ata për të cilët shpeshherë ju thosha juve dhe tani e them edhe duke qarë, si armiqtë e kryqit të Krishtit,
19 fundi i të cilëve është shkatërrim, perëndia i të cilëve është barku dhe lavdia e të cilëve është në turpin e tyre; këta janë ata që mendojnë gjërat tokësore.
20 Se qytetaria jonë është në qiej, prej nga presim me padurim edhe Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht,
21 i cili do t'i ndërrojë trajtë trupit të ultësisë sonë, që ky të bëhet i një forme me trupin e lavdisë së tij, sipas veprueshmërisë që i mundëson atij edhe për t'ia nënshtruar vetvetes të gjitha gjërat.
Të gjithë librat
