Letra drejtuar Filipianëve 1
1 Pali dhe Timoteu, skllevër të Jezu Krishtit, të gjithë shenjtorëve në Krishtin Jezus që janë në Filipi, bashkë me mbikëqyrësit dhe dhjakët:
2 hir mbi ju dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.
3 E falënderoj Perëndinë tim sa herë që ju kujtoj,
4 duke u përgjëruar gjithmonë me gëzim në çdo përgjërim timin për të gjithë ju,
5 për pjesëmarrjen tuaj për ungjillin nga dita e parë e deri tani,
6 duke qenë i bindur për vetë këtë gjë: se ai që filloi në ju një punë të mirë, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit.
7 Pasi është e drejtë për mua që të mendoj këtë gjë për të gjithë ju, për shkak se unë ju kam në zemër, sepse si në prangat e mia, edhe në mbrojtjen dhe vërtetimin e ungjillit, të gjithë ju jeni bashkëpjesëmarrës me mua të hirit.
8 Se Perëndia është dëshmitari im se sa shumë mall kam për të gjithë ju me përzemërsi të Jezu Krishtit.
9 Dhe për këtë lutem: që dashuria juaj të mbushullojë ende tepër e më tepër në një njohje të plotë dhe në çdo perceptim,
10 që kështu ju të aprovoni gjërat që vlejnë, me qëllim që të jeni të çiltër dhe të pacenuar për ditën e Krishtit,
11 të mbushur me fryte drejtësie, që vijnë nëpërmjet Jezu Krishtit, për lavdi dhe lavdërim të Perëndisë.
12 Tani, dëshiroj që ju ta dini, vëllezër, se rrethanat e mia kanë ndihmuar më tepër për përparimin e ungjillit,
13 aq sa prangat e mia në Krishtin të bëhen të njohura në tërë pretoriumin dhe për të gjithë të tjerët,
14 dhe shumica e vëllezërve, duke qenë besimplotë në Zotin për shkak të prangave të mia, të guxojnë më tepër për ta folur fjalën pa frikë.
15 Disa vërtet e predikojnë Krishtin edhe prej smire dhe grindjeje, por të tjerë edhe prej vullneti të mirë.
16 Ata e shpallin Krishtin prej ambicieje egoiste, jo dëlirësisht, duke menduar që të më shtojnë mundim në prangat e mia;
17 ndërsa këta e bëjnë prej dashurisë, duke e ditur se jam vënë për mbrojtjen e ungjillit.
18 E çfarë pastaj? Sido që të jetë, në çfarëdo mënyre, qoftë me shtirje, qoftë me të vërtetë, Krishti shpallet; dhe në këtë gëzohem. Sigurisht edhe do të gëzohem,
19 sepse e di që kjo do të më dalë për shpëtim, nëpërmjet përgjërimit tuaj dhe mbështetjes së Frymës së Jezu Krishtit,
20 sipas pritshmërisë së ethshme dhe shpresës sime se në asgjë nuk do të turpërohem, por me çdo guxim, si gjithmonë edhe tani, do të madhërohet Krishti në trupin tim, qoftë nëpërmjet jetës e qoftë nëpërmjet vdekjes.
21 Se për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim.
22 Por nëse është të jetuarit në mish, kjo për mua do të thotë punë e frytshme; dhe çfarë do të zgjedh nuk e di.
23 Se jam i zënë ngushtë prej të dyjave: duke pasur dëshirimin për t'u nisur e për të qenë bashkë me Krishtin, kjo është shumë-shumë më e mirë,
24 por të ndenjurit në mish është më i nevojshëm për dobinë tuaj.
25 Dhe duke qenë i bindur për këtë, e di se do të rri dhe do të vazhdoj bashkë me të gjithë ju për përparimin dhe gëzimin tuaj të besimit,
26 me qëllim që mburrja juaj të teprojë në Krishtin Jezus për shkakun tim, nëpërmjet ardhjes sime përsëri te ju.
27 Vetëm jetoni si qytetarë në mënyrë të denjë për ungjillin e Krishtit, me qëllim që, qoftë duke ardhur e duke ju parë, qoftë duke munguar, të dëgjoj për gjërat që kanë të bëjnë me ju, se qëndroni në një frymë, duke u përpjekur bashkë me një shpirt për besimin e ungjillit,
28 dhe duke mos u trembur në asgjë nga kundërshtarët. Kjo është për ta tregues shkatërrimi, por për ju tregues shpëtimi; dhe kjo nga Perëndia.
29 Se juve ju është dhuruar hirësisht për hir të Krishtit ajo që: jo vetëm të besoni në të, por edhe të vuani për hir të tij,
30 duke pasur të njëjtën ndeshje të cilën e patë në mua dhe tani po dëgjoni se është në mua.
Të gjithë librat
