Letra drejtuar Filipianëve 4
1 Prandaj, vëllezërit e mi të dashur dhe fort të dëshiruar, gëzimi dhe kurora ime, kështu qëndroni në Zotin, o të dashur!
2 Evodisë i bëj thirrje, edhe Sintikës i bëj thirrje, që të mendojnë të njëjtën gjë në Zotin.
3 Po, të kërkoj edhe ty, shok i vërtetë, ndihmoji ato të cilat u përpoqën bashkë me mua në ungjillin, edhe me Klementin dhe me bashkëpunëtorët e mi të tjerë, emrat e të cilëve janë në libër të jetës.
4 Gëzohuni në Zotin, gjithmonë! Përsëri do ta them: gëzohuni!
5 Zemërgjerësia juaj të njihet prej të gjithë njerëzve. Zoti është afër.
6 Mos u shqetësoni për asgjë, por në gjithçka, me anë të lutjes dhe përgjërimit me falënderim, të bëhen të njohura kërkesat tuaja para Perëndisë.
7 Dhe paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo aftësi të mendjes, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja në Krishtin Jezus.
8 Së fundi, vëllezër, gjithë sa janë të vërteta, gjithë sa janë të nderueshme, gjithë sa janë të drejta, gjithë sa janë të dëlira, gjithë sa janë të dashura, gjithë sa janë zëmira, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lavdërim, këto mendoni.
9 Ato që edhe i mësuat, edhe i morët, edhe i dëgjuat, edhe i patë në mua, këto praktikoni. Dhe Perëndia i paqes do të jetë me ju.
10 Por u gëzova me të madhe në Zotin që tashti, më në fund, e përtëritë të menduarit tuaj për mua; për këtë gjë edhe mendonit vazhdimisht, por nuk kishit rast.
11 Nuk është se po e them për shkak të skamjes, sepse unë mësova që, në kushtet që jam, të jem i vetëmjaftueshëm.
12 Unë di edhe të jem i përvuajtur, di edhe të kem tepri. Në gjithçka dhe në të gjitha kam mësuar sekretin edhe për të qenë i ngopur, edhe për të pasur uri, edhe për të pasur tepri, edhe për të qenë në skamje.
13 Për të gjitha kam forcë në atë që më fuqizon.
14 Sidoqoftë, mirë bëtë duke u bërë bashkëpjesëmarrës në mundimin tim.
15 Tani, edhe ju e dini, o filipianë, se në fillim të predikimit të ungjillit, kur dola nga Maqedonia, asnjë kishë nuk mori pjesë me mua për çështje dhënieje dhe marrjeje, përveç jush vetëm;
16 sepse edhe në Selanik, më shumë se një herë më dërguat për nevojën time.
17 Nuk është se po kërkoj dhuratën, por kërkoj frytin që shumohet për llogarinë tuaj.
18 Por i kam marrë të gjitha dhe kam tepri; jam mbushur kur mora nga Epafroditi ato që u dërguan nga ju, një aromë erëmirë, një flijim i pranueshëm, i pëlqyeshëm për Perëndinë.
19 Dhe Perëndia im do të plotësojë çdo nevojë tuajën, sipas pasurisë së tij në lavdi në Krishtin Jezus.
20 Tani, Perëndisë dhe Atit tonë i qoftë lavdia në shekuj të shekujve. Amen.
21 Përshëndetni çdo shenjtor në Krishtin Jezus. Ju përshëndesin vëllezërit që janë bashkë me mua.
22 Ju përshëndesin të gjithë shenjtorët, por veçanërisht ata prej shtëpisë së Cezarit.
23 Hiri i Zotit Jezu Krisht qoftë me frymën tuaj. Amen.
Të gjithë librat
