Eksodi 7
1 Dhe Jahveh-u i tha Moisiut: "Shiko, të kam bërë si perëndi për Faraonin, dhe Aroni, vëllai yt, do të jetë profeti yt.
2 Ti do të flasësh gjithçka që do të të urdhëroj dhe Aroni, vëllai yt, do t'i flasë Faraonit që të lërë të ikin bijtë e Izraelit nga vendi i tij.
3 Por unë do ta ngurtësoj zemrën e Faraonit dhe do t'i shumoj shenjat e mia dhe çuditë e mia në vendin e Egjiptit;
4 por Faraoni nuk do t'ju dëgjojë juve dhe unë do të ngre dorën time kundër Egjiptit që të nxjerr njësitë e mia, popullin tim, bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit me gjykime të rënda,
5 që ta dinë egjiptasit që unë jam Jahveh-u, kur të shtrij dorën time mbi Egjiptin dhe të nxjerr unë bijtë e Izraelit nga mesi i tyre".
6 Dhe Moisiu dhe Aroni bënë ashtu siç i urdhëroi ata Jahveh-u, kështu bënë.
7 Tani, Moisiu ishte tetëdhjetë vjeç dhe Aroni tetëdhjetë e tre vjeç kur ata i folën Faraonit.
8 Dhe Jahveh-u i tha Moisiut dhe Aronit, duke thënë:
9 "Kur t'ju flasë juve Faraoni duke thënë: 'Bëni ndonjë çudi për veten tuaj', do t'i thuash Aronit: 'Merre shkopin tënd dhe hidhe përpara Faraonit, do të bëhet gjarpër'".
10 Pastaj Moisiu dhe Aroni erdhën te Faraoni, dhe bënë po ashtu siç urdhëroi Jahveh-u. Dhe Aroni hodhi shkopin e tij përpara Faraonit dhe përpara skllevërve të tij, dhe ai u bë gjarpër.
11 Atëherë edhe Faraoni thirri të urtët dhe yshtësit, dhe bënë edhe ata, magjistarët e Egjiptit, po ashtu me shortitë e tyre;
12 dhe secili hodhi shkopin e vet, dhe ata u bënë gjarpërinj; ama shkopi i Aronit i gëlltiti shkopat e tyre.
13 Por zemra e Faraonit u ngurtësua dhe nuk i dëgjoi ata, ashtu siç kishte folur Jahveh-u.
14 Atëherë Jahveh-u i tha Moisiut: "Zemra e Faraonit është gur! Ai refuzon ta lërë të ikë popullin.
15 Shko te Faraoni në mëngjes. Kur të dalë drejt ujërave, bëhu gati për ta takuar në breg të lumit. Merr në dorë edhe shkopin që u kthye në gjarpër.
16 Dhe do t'i thuash atij: 'Jahveh-u, Perëndia i hebrenjve, më dërgoi te ti duke thënë: 'Lëre të ikë popullin tim që të më shërbejë në shkretëtirë. Por ja, ende nuk e ke lënë të ikë'.
17 Kështu ka thënë Jahveh-u: 'Nga kjo do të dish që unë jam Jahveh-u. Ja, unë po godas me shkopin që është në dorën time, ujërat që ka lumi, dhe ato do të kthehen në gjak.
18 Dhe peshqit që janë në lumë, do të ngordhin, dhe do të qelbet lumi; dhe egjiptasit do të sfiliten për të pirë ujë nga lumi'".
19 Pastaj Jahveh-u i tha Moisiut: "Thuaji Aronit: 'Merre shkopin tënd dhe shtrije dorën mbi ujërat e Egjipit, mbi lumenjtë, mbi rrjedhat e tyre dhe mbi pellgjet e tyre, dhe mbi çdo mbledhje të ujërave të tyre dhe do të bëhen gjak. Dhe do të ketë gjak në gjithë vendi e Egjiptit, edhe në pemët, edhe në gurët'".
20 Dhe Moisiu dhe Aroni bënë po ashtu siç urdhëroi Jahveh-u. Dhe ai ngriti shkopin dhe goditi ujërat që kishte lumi, në sytë e Faraonit dhe në sytë e skllevërve të tij, dhe gjithë ujërat që kishte lumi, u kthyen në gjak.
21 Dhe peshqit që ishin në lumë, ngordhën, dhe u qelb lumi, dhe egjiptasin nuk mundeshin të pinin ujë nga lumi. Dhe kishte gjak në gjithë vendin e Egjiptit.
22 Edhe magjistarët e Egjiptit bënë kështu me artet e tyre të fshehta, dhe u ngurtësua zemra e Faraonit, dhe nuk i dëgjoi ata, ashtu siç kishte folur Jahveh-u.
23 Pastaj Faraoni u kthye dhe erdhi drejt shtëpisë së tij, por nuk i dha rëndësi as kësaj.
24 Dhe gjithë egjiptasit gërmuan përreth lumit për ujë që të pinin, sepse nuk mundeshin të pinin nga uji i lumit.
25 Dhe u mbushën shtatë ditë mbasi Jahveh-u e kishte goditur lumin.
Të gjithë librat
