Eksodi 5
1 Dhe më pas Moisiu dhe Aroni erdhën e i thanë Faraonit: "Kështu ka thënë Jahveh-u, Perëndia i Izraelit: 'Lëre të shkojë popullin tim që të kremtojnë festë për mua në shkretëtirë'".
2 Por Faraoni tha: "Kush është Jahveh-u që të dëgjoj zërin e tij për të lënë të ikë Izraelin. Nuk e njoh Jahveh-un dhe gjithashtu nuk do ta lë të ikë Izraelin".
3 Dhe ata thanë: "Perëndia i hebrenjve na u ndodh. Na lër të shkojmë, të lutemi, në shkretëtirë, tri ditë rrugë, që të bëjmë flijime për Jahveh-un, Perëndinë tonë, që të mos na godasë me murtajë ose me shpatë".
4 Por mbreti i Egjiptit u tha atyre: "Moisi dhe Aron, përse e bëni popullin të shmanget nga punët e tij? Shkoni në barrët tuaja të rënda!".
5 Pastaj Faraoni tha: "Ja, tani populli i vendit është i shumtë, por ju doni t'i bëni ata të reshtin nga barrët e tyre të rënda".
6 Dhe atë ditë Faraoni urdhëroi shtypësit e popullit dhe përgjegjësit e tij duke thënë:
7 "Nuk do t'i jepni më kashtë popullit që të bëjë tulla si më parë. Le të shkojnë vetë dhe të mbledhin kashtë për veten,
8 por do t'u impononi atyre sasinë e tullave që ata bënin më parë. Nuk do t'ua zvogëloni, sepse ata janë të përtuar. Prandaj ata këlthasin duke thënë: 'Na lër të shkojmë që të bëjmë flijime për Perëndinë tonë'.
9 Le të jetë e rëndë puna mbi burrat dhe le vazhdojnë ta bëjnë atë, që të mos u kushtojnë vëmendje fjalëve të rreme!".
10 Dhe dolën shtypësit e populit dhe përgjegjësit e tij, dhe i thanë popullit duke thënë: "Kështu ka thënë Faraoni: 'Unë nuk po ju jap kashtë.
11 Shkoni vetë e merrni për veten kashtë nga ku të gjeni, sepse nuk do t'ju zvogëlohet asgjë nga puna".
12 Dhe populli u shpërnda në gjithë vendin e Egjiptit për të mbledhur byk në vend të kashtës.
13 Dhe shtypësit i ngutnin duke thënë: "Mbaroni punën tuaj, sasinë ditore për sot, ashtu siç bënin kur kishte kashtë!";
14 edhe goditën përgjegjësit e bijve të Izraelit, që kishin caktuar mbi ta shtypësit e Faraonit, duke thënë: "Përse nuk përfunduat normën tuaj për të bërë tulla as dje as sot, siç bënit më parë?".
15 Atëherë përgjegjësit e bijve të Izraelit erdhën dhe i këlthitën Faraonit duke thënë: "Përse ua bën kështu skllevërve të tu?
16 Kashtë nuk po u jepet skllevërve të tu, por na thonë: 'Bëni tulla!' Dhe ja, skllevërit e tu po goditen, por fajin e ka populli yt".
17 Por ai tha: "Ju jeni të përtuar, jeni të përtuar, prandaj ju thoni: 'Na lër të shkojmë që të bëjmë flijime për Jahveh-un'.
18 Dhe tani shkoni, punoni, por kashtë nuk do t'ju jepet, ama sasinë e tullave do ta bëni!".
19 Dhe përgjegjësit e bijve të Izraelit e kuptuan se ata u gjendën në të keqe, kur ju tha: "Nuk do të zvogëloni sasinë ditote të tullave për ditë".
20 Dhe takuan Moisiun dhe Aronin që po prisnin për t'i takuar, kur ata dolën nga Faraoni,
21 dhe u thanë atyre: "Jahveh-u ju shikoftë dhe gjykoftë, sepse na bëtë të qelbemi në sytë e Faraonit dhe në sytë e skllevërve të tij duke vënë shpatën në dorën e tyre për të na vrarë".
22 Atëherë Moisiu iu drejtua Jahveh-ut dhe tha: "O Zot, përse i bëre keq këtij populli? Përse, pra, më dërgove?
23 Sepse që kur erdha te Faraoni që të flas në emrin tënd, i ka bërë keq këtij populli, por ti ende nuk e ke liruar popullin tënd".
Të gjithë librat
