Eksodi 3
1 Tani, Moisiu ishte duke barituar dhentë e Jetroit, vjehrrit të tij, priftit të Midianit, dhe i udhëhoqi ato në perëndim të shkretëtirës, dhe erdhi drejt malit të Perëndisë, drejt Horebit.
2 Dhe atij iu shfaq engjëlli i Jahveh-ut në flakën e zjarrit në mes të një ferrishteje; dhe ai pa, dhe ja, ferrishtja kishte marrë zjarr, por ajo nuk po digjej.
3 Atëherë Moisiu tha: "Duhet të kthehem, tani, që të shoh këtë pamje të madhërishme: përse nuk po digjet ferrishtja".
4 Dhe Jahveh-u pa që ai u kthye për të parë, dhe i thirri atij Perëndia nga mesi i ferrishtes, dhe tha: "Moisi, Moisi". Dhe ai tha: "Ja, ku jam".
5 Dhe Perëndia tha: "Mos u afro këtu. Hiqi sandalet nga këmbët, sepse vendi mbi të cilin ti po qëndron, është tokë e shenjtë".
6 Edhe tha: "Unë jam Perëndia i atin tënd, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit". Atëherë Moisiu e mbuloi fytyrën e tij, sepse kishte frikë të shikonte drejt Perëndisë.
7 Pastaj Jahveh-u tha: "Patjetër që e kam parë pikëllimin e popullit tim, i cili është në Egjipt. Edhe këlthitjen e tyre e kam dëgjuar për shkak të shtypësve të tyre, ngaqë i di dhembjet e tyre.
8 Dhe zbrita që ta liroj nga dora e egjiptasve dhe ta ngjit nga ai vend në një vend të mirë dhe të gjerë, në një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë, në vendin e kanaanitëve dhe hititëve, dhe amoritëve, dhe perizitëve, dhe hivitëve dhe jebusitëve.
9 Dhe tani, ja, këlthitja e bijve të Izraelit ka arritur tek unë, dhe gjithashtu, e kam parë shtypjen me të cilën egjiptasin po i shtypin ata.
10 Prandaj, tani, shko, se po të dërgoj te Faraoni, dhe nxirre popullin tim, bijtë e Izraelit, nga Egjipti".
11 Por Moisiu i tha Perëndisë: "Kush jam unë që të shkoj te Faraoni dhe që të nxjerr bijtë e Izraelit nga Egjipti?".
12 Dhe Perëndia tha: "Ngaqë unë do të jem me ty, dhe kjo do të jetë për ty shenja që unë të kam dërguar: kur ti të nxjerrësh popullin nga Egjipti, do t'i shërbeni Perëndisë në këtë mal".
13 Atëherë Moisiu i tha Perëndisë: "Ja, unë po shkoj te bijtë e Izraelit dhe do t'u them: 'Më ka dërguar Perëndia i etërve tuaj te ju.' Dhe ata do të më thonë: 'Cili është emri i tij?' Çfarë t'u them atyre?".
14 Dhe Perëndia i tha Moisiut: "Unë jam ai që unë jam". Edhe tha: "Kështu do t'u thuash bijve të Izraelit: 'Unë jam-i më ka dërguar te ju'".
15 Dhe Perëndia i tha përsëri Moisiut: "Kështu do t'u thuash bijve të Izraelit: 'Jahveh-u, Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit më ka dërguar te ju.' Ky është emri im përjetë dhe kjo është përmendja ime për çdo brez.
16 Shko dhe mblidh pleqtë e Izraelit dhe thuaju atyre: 'Jahveh-u, Perëndia i etërve tuaj mu shfaq mua, Perëndia i Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, duke thënë: Patjetër që ju kam vizituar ju dhe atë që ju është bërë në Egjipt;
17 prandaj thashë se do t'ju ngjit nga pikëllimi i Egjiptit në vendin e kanaanitëve, dhe hititëve, dhe amoritëve, dhe perizitëve, dhe hivitëve dhe jebusitëve, në një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë.
18 Dhe ata do ta dëgjojnë zërin tim, prandaj do të shkosh ti dhe pleqtë e Izraelit te mbreti i Egjiptit dhe do t'i thoni atij: 'Jahveh-u, Perëndia i hebrenjve, u ndodh mbi ne, dhe tani, të lutemi, na lër të shkojmë në shkretëtirë, tri ditë rrugë, që të bëjmë flijime për Jahveh-un, Perëndinë tonë.'
19 Por unë e di që mbreti i Egjiptit nuk do t'ju lërë të shkoni, veçse i detyruar nga një dorë e fortë,
20 prandaj do ta shtrij dorën time dhe do ta godas Egjiptin me gjithë mrekullitë e mia që do të bëj në mes të tij, dhe mbas kësaj, ai do t'ju lërë të ikni.
21 Dhe këtij populli do t'i jap hir në sytë e Egjiptit, dhe do të ndodhë që, kur të shkoni, nuk do të shkoni duarzbrazur;
22 por çdo grua do të kërkojë nga fqinja e saj dhe nga ajo që banon si ardhëse në shtëpinë e saj, sende prej argjendi dhe sende prej ari, si dhe rroba, dhe do t'ua vishni bijve tuaj dhe bijave tuaja; kështu do të plaçkisni Egjiptin".
Të gjithë librat
