Eksodi 2
1 Tani, një burrë nga shtëpia e Levit shkoi dhe mori për grua një bijë të Levit.
2 Dhe gruaja u ngjiz e lindi një djalë; dhe ajo e pa atë që ishte i pashëm, dhe e mbajti fshehur për tre muaj;
3 por nuk mundej më që ta fshihte, prandaj mori një arkë prej papirusi për të, dhe e leu me bitum dhe me katran, dhe vuri në të fëmijën, dhe arkën e vuri në kallamishtet pranë bregut të lumit.
4 Dhe motra e tij qëndroi nga larg për të parë se çfarë do të bëhej me të.
5 Dhe bija e Faraonit zbriti për t'u larë pranë lumit, dhe të rejat e saj po ecnin buzë lumit. Dhe ajo pa arkën në mes të kallamishteve, dhe dërgoi shërbëtoren e saj që ta merrte.
6 Dhe e hapi dhe pa fëmijën, dhe ja, ishte një djalë që po qante. Dhe ai iu dhimbs dhe ajo tha: "Ky është nga fëmijët e hebrenjve".
7 Pastaj motra e tij i tha bijës së Faraonit: "A të shkoj dhe të thërras për ty një grua mëndeshë nga gratë hebreje që të mëndë fëmijën për ty?".
8 Dhe bija e Faraonit i tha asaj: "Shko". Dhe vasha shkoi dhe thirri nënën e fëmijës.
9 Pastaj bija e Faraonit i tha asaj: "Merre me vete këtë fëmijë dhe mënde për mua, dhe unë do të të jap pagën". Dhe gruaja e mori fëmijën dhe e mëndi.
10 Dhe fëmija u rrit dhe ajo e solli te bija e Faraonit, dhe ai u bë bir për të, dhe ajo ia vuri emrin Moisi, dhe tha: "Sepse e nxora nga ujërat".
11 Dhe ndodhi që në ato ditë, Moisiu u rrit dhe doli për te vëllezërit e tij, dhe pa barrët e tyre të rënda. Pastaj pa një burrë egjiptas që po godiste një burrë hebre nga vëllezërit e tij.
12 Atëherë u kthye këndej e andej dhe pa që nuk kishte asnjeri, dhe e goditi egjiptasin, dhe e fshehu trupin në rërë.
13 Doli edhe të nesërmen, dhe ja, dy burra hebrenj po përlesheshin, dhe i tha atij që ishte fajtor: "Përse po e godet shokun tënd?".
14 Dhe ky tha: "Kush të ka vënë ty kryetar dhe gjykatës mbi ne? A thua se do të më vrasësh ashtu siç vrave egjiptasin?". Atëherë Moisiu u frikësua dhe tha: "Me siguri, kjo gjë është bërë e njohur".
15 Dhe Faraoni e dëgjoi këtë gjë dhe kërkoi që ta vriste Moisiun, prandaj Moisiu iku nga prania e Faraonit dhe banoi në tokën e Midianit, dhe u ul pranë një pusi.
16 Tani, prifti i Midianit kishte shtatë bija, dhe ato erdhën dhe nxorën ujë, dhe mbushën lugjet që t'u jepnin të pinin dhenve të atit të tyre.
17 Erdhën edhe barinjtë dhe i dëbuan ato; por Moisiu u ngrit dhe i shpëtoi, dhe u dha të pinin dhenve të tyre.
18 Pastaj ato erdhën te Reueli, ati i tyre, dhe ai tha: "Përse nxituat për të ardhur sot?".
19 Dhe ato thanë: "Një burrë egjiptas na liroi nga dora e barinjve dhe për më tepër, nxori madje ujë për ne, dhe u dha të pinë dhenve".
20 Atëherë ai u tha bijave të tij: "Po ku është ai? Përse, pra, e latë atë burrë? Thërriteni që të hajë bukë".
21 Dhe Moisiu pranoi të banojë me atë njeri, dhe ai i dha Moisiut Ciporën, bijën e tij,
22 dhe ajo lindi një djalë, dhe ai ia vuri emrin Gershom, sepse tha: "Kam qenë ardhës në një tokë të huaj".
23 Dhe ndodhi që mbas shumë prej atyre ditëve, vdiq mbreti i Egjiptit, dhe bijtë e Izraelit rënkonin nga skllavëria e klithnin, dhe thirrja e tyre nga skllavëria u ngjit te Perëndia.
24 Dhe Perëndia e dëgjoi rënkimën e tyre, dhe Perëndia e kujtoi besëlidhjen e tij me Abrahamin, me Isakun dhe me Jakobin;
25 dhe Perëndia i pa bijtë e Izraelit dhe kuptoi Perëndia.
Të gjithë librat
