Eksodi 1
1 Tani, këta janë emrat e bijve të Izraelit që erdhën në Egjipt bashkë me Jakobin; erdhën secili me shtëpinë e vet:
2 Rubeni, Simeoni, Levi dhe Juda,
3 Isakari, Zabuloni dhe Beniamini,
4 Dani dhe Neftali, Gadi dhe Asheri.
5 Dhe të gjithë pasardhësit e drejtpërdrejtë të Jakobit ishin shtatëdhjetë veta. Kurse Jozefi ishte tashmë në Egjipt.
6 Pastaj vdiqën Jozefi dhe gjithë vëllezërit e tij, dhe gjithë ai brez,
7 ndërsa bijtë e Izraelit ishin të frytshëm dhe u shumuan, dhe u shtuan, dhe ishin jashtëzakonisht të fuqishëm, dhe vendi u mbush me ta.
8 Tani, u ngrit në pushtet një mbret i ri mbi Egjiptin, i cili nuk e njihte Jozefin,
9 dhe i tha popullit të vet: "Ja, populli i bijve të Izraelit është më i shumtë dhe më i fuqishëm se ne.
10 Ejani, le të tregohemi të urtë me të, që të mos shtohet; dhe nëse shpërthen ndonjë luftë, të bashkohet edhe ai me ata që na urrejnë dhe të luftojë kundër nesh, dhe të largohet nga vendi".
11 Kështu, caktuan mbi ta krerë për punë të detyruar me qëllim që t'i keqtrajtonin me barrët e tyre të rënda. Dhe ata ndërtuan qytetet-depozita për Faraonin, Pitomin dhe Ramesesin.
12 Por sa më shumë e keqtrajnonin atë, aq më shumë populli shtohej dhe shpërhapej, prandaj egjiptasit u neveritën për shkak të bijve të Izraelit
13 dhe ata i bënë bijtë e Izraelit të punojnë me rreptësi,
14 dhe ua nxinë jetën me punë të vështirë, me llaç dhe me tulla, dhe me çdo lloj pune në fushë, me çdo lloj pune që ata bënin ndër egjiptasit me rreptësi.
15 Pastaj mbreti i Egjiptit iu drejtua mamive hebreje, emri i njërës ishte Shifra dhe emri i së dytës Pua,
16 dhe tha: "Kur të ndihmoni gratë hebreje që të lindin, shikoni mbi ndenjësen e lindjes: nëse është djalë, bëjeni të vdesë atë, por nëse është vajzë, le të jetojë".
17 Mirëpo mamitë e kishin frikë Perëndinë dhe nuk bënë ashtu siç u tha atyre mbreti i Egjiptit, por i lanë të jetojnë fëmijët.
18 Dhe mbreti i Egjiptit i thirri mamitë dhe u tha: "Përse e bëtë këtë gjë dhe i latë të jetojnë fëmijët?".
19 Dhe mamitë i thanë Faraonit: "Sepse nuk janë si gratë egjiptase gratë hebreje, ngaqë janë të gjallërishme. Përpara se të shkojë tek ato mamia, ato kanë lindur".
20 Dhe Perëndia u tregua i mirë me mamitë, dhe populli u shtua dhe ata u bënë tepër të fuqishëm.
21 Dhe ngaqë mamitë e kishin frikë Perëndisë, ai bëri shtëpi për to.
22 Atëherë Faraoni urdhëroi gjithë popullin e tij duke thënë: "Çdo djalë të lindur hidheni në lumë, kurse çdo vajzë lëreni të jetojë".
Të gjithë librat
