Letra drejtuar Efesianëve 3
1 Për këtë arsye, unë Pali, i burgosuri i Krishtit Jezus për ju kombet –
2 nëse vërtet dëgjuat për administrimin e hirit të Perëndisë që m'u dha për ju;
3 se sipas një zbulese ai ma bëri të njohur misterin (ashtu siç shkrova përpara me pak fjalë
4 e që, në lidhje me këtë, duke lexuar, ju mund të kuptoni zgjuarsinë time në misterin e Krishtit),
5 i cili brezat e tjerë nuk iu bë i njohur bijve të njerëzve, ashtu siç iu zbulua në Frymë tani të shenjtëve apostuj të tij dhe profetë:
6 që kombet të jenë bashkëtrashëgimtarë dhe një trup i përbashkët, dhe bashkëpjesëtarë të premtimit të tij në Krishtin, nëpërmjet ungjillit,
7 të cilit iu bëra shërbenjës, sipas dhurimit të hirit të Perëndisë, që m'u dha sipas veprueshmërisë së fuqisë së tij.
8 Mua, më të voglit nga të gjithë shenjtorët, m'u dha ky hir për të shpallur ndër kombet si lajm të mirë pasurinë e pahulumtueshme të Krishtit
9 dhe për t'i ndriçuar të gjithë se cili është administrimi i misterit që ishte fshehur prej epokash në Perëndinë që i krijoi të gjitha nëpërmjet Jezu Krishtit;
10 me qëllim që, nëpërmjet kishës, t'u bëhet e njohur tani parive dhe pushteteve në vendet qiellore urtësia e shumëllojshme e Perëndisë,
11 sipas qëllimit të përjetshëm të cilin e zbatoi në Krishtin Jezus, Zotin tonë,
12 në të cilin kemi guximin dhe qasjen në mirëbesim, nëpërmjet besimit në të.
13 Prandaj, ju kërkoj që të mos ligështoheni për shkak të mundimeve të mia për ju, që është lavdia juaj.
14 Për këtë arsye, unë i përkul gjunjët e mi para Atit të Zotit tonë Jezu Krisht,
15 prej të cilit emërtohet çdo familje në qiej dhe mbi tokë,
16 që t'ju japë, sipas pasurisë së lavdisë së tij: që të forcoheni me fuqi nëpërmjet Frymës së tij në njeriun e brendshëm;
17 që Krishti të banojë në zemrat tuaja nëpërmjet besimit;
18 dhe që, duke qenë rrënjosur dhe themeluar në dashuri, të jeni plotësisht në gjendje për të përkapur bashkë me të gjithë shenjtorët se cila është gjerësia dhe gjatësia, dhe thellësia, dhe lartësia,
19 si dhe për të njohur dashurinë e Krishtit që e tejkalon njohurinë, me qëllim që të mbusheni deri në gjithë plotësinë e Perëndisë.
20 Tani, atij që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë përtej të gjitha gjërave, shumë më tepër sesa çfarë kërkojmë apo kuptojmë,
21 atij i qoftë lavdia në kishën në Krishtin Jezus për të gjithë brezat në jetë të jetëve! Amen!
Të gjithë librat
