Letra drejtuar Efesianëve 6
1 Ju, fëmijë, bindjuni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë.
2 "Ndero atin tënd dhe nënën (ky është urdhërimi i parë me premtim),
3 që ty të të bëhet mirë dhe, kështu, do të jesh jetëgjatë mbi tokë".
4 Dhe ju, etër, mos i zemëroni fëmijët tuaj, por i rritni në edukim dhe këshillim të Zotit.
5 Ju, skllevër, bindjuni zotërinjve tuaj sipas mishit me frikë dhe me dridhje, në thjeshtësinë e zemrës suaj, si Krishtit;
6 jo duke shërbyer për të rënë në sy, si për t'u pëlqyer njerëzve, por si skllevër të Krishtit, duke bërë vullnetin e Perëndisë prej shpirtit;
7 duke shërbyer me vullnet të mirë si Zotit e jo njerëzve;
8 duke ditur se secili, po të bëjë diçka të mirë, do të marrë këtë të mirë nga Zoti, qoftë skllav a qoftë i lirë.
9 Dhe ju, zotërinj, bëni të njëjtat gjëra ndaj tyre, duke lënë kërcënimin; duke ditur se Zoti i tyre dhe juaji është në qiej dhe tek ai nuk ka anësi.
10 Së fundi, fuqizohuni në Zotin dhe në pushtetin e forcës së tij.
11 Vishni gjithë armatimin e Perëndisë, që ju të mund të qëndroni kundër marifeteve të djallit.
12 Se nuk është luftimi ynë kundër mishi dhe gjaku, por kundër parive, kundër pushteteve, kundër sunduesve botërorë të kësaj errësire, kundër forcave frymërore të së ligës në vendet qiellore.
13 Për këtë arsye, merrni gjithë armatimin e Perëndisë, që të mund të bëni qëndresë në ditën e ligë dhe, pasi t'i keni kryer të gjitha, të qëndroni.
14 Qëndroni, pra, duke ngjeshur ijët tuaja me të vërtetën dhe duke veshur parzmoren e drejtësisë,
15 dhe duke mbathur këmbët me gatishmërinë e ungjillit të paqes.
16 Në të gjitha këto, duke marrë mburojën e besimit, me të cilën do të mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut.
17 Merrni edhe përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë.
18 Nëpërmjet çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi duke u lutur në çdo kohë në Frymë, dhe për këtë qëllim, duke ndenjur zgjuar me çdo ngulmim dhe përgjërim për të gjithë shenjtorët,
19 edhe për mua, që të më jepet një fjalë, kur ta hap gojën time, për ta bërë të njohur me guxim misterin e ungjillit,
20 për të cilin jam emisar në zinxhirë, që në shpalljen e tij të flas me guxim, ashtu siç më duhet për të folur.
21 Por, që t'i dini edhe ju rrethanat e mia dhe çfarë po bëj, të gjitha do t'jua bëjë të njohura Tikiku, vëllai i dashur dhe shërbenjësi besnik në Zotin,
22 të cilin e dërgova te ju pikërisht për këtë: që të njihni gjërat që kanë të bëjnë me ne dhe të trimërojë zemrat tuaja.
23 Paqe vëllezërve dhe dashuri me besim nga Perëndia Atë dhe nga Zoti Jezu Krisht.
24 Hiri qoftë me të gjithë ata që e duan Zotin tonë Jezu Krisht në paprishje.
Të gjithë librat
