Letra drejtuar Efesianëve 4
1 Prandaj ju bëj thirrje, unë i burgosuri në Zotin, që të ecni në mënyrë të denjë për thirrjen me të cilën u thirrët,
2 me çdo përulësi dhe butësi, me durim, duke duruar njëri-tjetrin në dashuri,
3 duke u përpjekur për të ruajtur njëshmërinë e Frymës në lidhjen e paqes.
4 Është një trup dhe një Frymë (ashtu siç edhe u thirrët në një të vetme shpresë të thirrjes suaj),
5 një Zot, një besim, një pagëzim,
6 një Perëndi dhe Atë i të gjithëve, ai që është mbi të gjithë dhe përmes të gjithëve, dhe në të gjithë.
7 Por çdonjërit nga ne iu dha hiri sipas masës së dhurimit të Krishtit.
8 Prandaj thotë: "Kur u ngjit në lartësi, mori rob robërit; u dha dhurata njerëzve."
9 (Tani, kjo "u ngjit" çfarë është, në mos që edhe zbriti në më të ulëtat pjesë të tokës?
10 Dhe vetë ai që zbriti, është edhe ai që u ngjit përmbi të gjithë qiejt, që t'i mbushë të gjitha.)
11 Dhe vetë i dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë, të tjerë si barinj dhe mësues,
12 për pajisjen e shenjtorëve për punën e shërbimit, për ndërtimin e trupit të Krishtit,
13 derisa të arrijmë ne të gjithë në njëshmërinë e besimit dhe të njohjes së plotë të Birit të Perëndisë, në një burrë të përsosur, në masën e pjekurisë së plotësisë së Krishtit;
14 që të mos jemi më foshnja, hedhur andej-këtej nga dallgët dhe marrë vërdallë nga çdo erë e doktrinës, me anë të hiles së njerëzve, me anë të dinakërisë që ka për qëllim marifetin e mashtrimit,
15 por duke thënë të vërtetën në dashuri, të rritemi në lidhje me të gjitha gjërat drejt atij i cili është kreu, Krishti,
16 prej të cilit gjithë trupi, i lidhur bashkë dhe i bërë bashkë nëpërmjet mbështetjes së çdo nyje, sipas veprueshmërisë në masën e çdonjërës pjesë, bën rritjen e trupit për ndërtim të vetvetes në dashuri.
17 Prandaj, këtë po them dhe dëshmoj në Zotin: që ju të mos ecni më ashtu siç ecin edhe kombet në kotësinë e mendjes së tyre,
18 duke qenë të errësuar në arsyen e tyre, të tëhuajtur nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që është në ta, për shkak të ngurtësimit të zemrës së tyre.
19 Ata, duke u bërë të pandjeshëm, e dorëzuan veten e tyre në shthurje, për kryerje të çdo papastërtie me lakmi.
20 Por ju nuk e keni nxënë kështu Krishtin,
21 nëse vërtet e dëgjuat atë dhe u mësuat në të, ashtu siç është e vërteta në Jezusin,
22 që, për sa i përket sjelljes së mëparshme, ju të hiqni tej njeriun e vjetër, që prishet sipas dëshirimeve të mashtrimit,
23 dhe që të përtëriheni në frymën e mendjes suaj,
24 dhe që të vishni njeriun e ri, që u krijua sipas Perëndisë, në drejtësi dhe shenjtëri të së vërtetës.
25 Prandaj, duke hequr tej gënjeshtrën, flisni të vërtetën secili nga ju me të afërmin e tij, sepse jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit.
26 Zemërohuni dhe mos mëkatoni; dielli mos të perëndojë mbi zemëratën tuaj
27 dhe mos i jepni vend djallit.
28 Ai që vjedh, mos të vjedhë më, por më tepër të mundohet duke punuar me duart e veta atë që është e mirë, me qëllim që të ketë për t'i dhënë diçka atij që ka nevojë.
29 Asnjë fjalë e kalbur mos të dalë prej gojës suaj, por vetëm nëse ka ndonjë fjalë të mirë për ndërtim, sipas nevojës, me qëllim që t'u japë hir atyre që dëgjojnë.
30 Dhe mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, në të cilin u vulosët për ditën e shpengimit.
31 Çdo hidhësi dhe mllef, dhe zemërim, dhe bërtitje, dhe fyerje të hiqet nga ju, bashkë me çdo ligësi.
32 Por bëhuni të mirë ndaj njëri-tjetrit, të përzemërt, duke e hirësuar njëri-tjetrin, ashtu si edhe Perëndia ju hirësoi në Krishtin.
Të gjithë librat
