Letra drejtuar Efesianëve 2
1 Dhe ju, megjithëse ishit të vdekur në shkeljet dhe mëkatet tuaja,
2 në të cilat ecët më parë, sipas rendit të kësaj bote, sipas kreut të pushtetit të ajrit, të frymës që vepron tani në bijtë e mosbindjes,
3 ndër të cilët edhe ne të gjithë jetuam më parë në dëshirimet e mishit tonë, duke bërë vullnetet e mishit dhe të mendjeve, dhe ishim prej natyre fëmijë të zemërimit, si edhe të tjerët.
4 Por Perëndia, duke qenë i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së tij të madhe me të cilën na deshi,
5 edhe pse ne ishim të vdekur në shkeljet tona, na bëri të gjallë bashkë me Krishtin (me anë të hirit jeni shpëtuar)
6 dhe na ngjalli bashkë me të, dhe na uli bashkë me të në vendet qiellore, në Krishtin Jezus,
7 me qëllim që të tregojë në epokat që vijnë pasurinë e pamasë të hirit të tij, në mirësinë ndaj nesh në Krishtin Jezus.
8 Se me anë të hirit jeni shpëtuar, nëpërmjet besimit; dhe kjo gjë nuk është prej jush, është dhurata e Perëndisë;
9 nuk është prej veprash, që të mos mburret kush.
10 Se ne jemi punëdore e tij, krijuar në Krishtin Jezus për vepra të mira, të cilat i parapërgatiti Perëndia, me qëllim që të ecim në to.
11 Prandaj, kujtoni se më përpara ju, kombet në mish (ata që quhen "parrethprerje" nga ajo që quhet "rrethprerje", që është e bërë me dorë, në mish),
12 kujtoni se ishit në atë kohë pa Krishtin, të tëhuajtur nga qytetaria e Izraelit dhe të huaj për besëlidhjet e premtimit, duke mos pasur shpresë dhe duke qenë të paperëndi në këtë botë.
13 Por tani, në Krishtin Jezus, ju që më përpara ishit larg, u sollët afër me anë të gjakut të Krishtit.
14 Sepse ai vetë është paqja jonë, ai që i bëri të dy popujt një dhe që shembi murin e ndërmjetëm të ndarjes, armiqësinë, në mishin e tij
15 duke shfuqizuar Ligjin e urdhërimeve të përbërë nga dekrete, me qëllim që, nga ata dy, të krijojë në vetvete një njeri të ri të vetëm, duke bërë paqe;
16 dhe t'i pajtojë të dy me Perëndinë në një trup të vetëm, nëpërmjet kryqit, duke vrarë armiqësinë në veten e vet.
17 Dhe ai erdhi e ju shpalli si lajm të mirë paqe juve që ishit larg dhe paqe atyre që ishin afër,
18 se nëpërmjet tij kemi të dy qasjen tek Ati në një Frymë të vetëm.
19 Rrjedhimisht, pra, ju nuk jeni më të huaj dhe ardhës, por jeni bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe shtëpiarë të Perëndisë,
20 duke pas qenë ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qenë gur këndi vetë Krishti Jezus,
21 në të cilin e gjithë ndërtesa, duke qenë e lidhur bashkë, rritet për të qenë shenjtërore e shenjtë në Zotin,
22 në të cilin edhe ju bashkëndërtoheni për të qenë banesë e Perëndisë në Frymë.
Të gjithë librat
