Letra drejtuar Efesianëve 1
1 Pali, apostull i Krishtit Jezus nëpërmjet vullnetit të Perëndisë, shenjtorëve që janë në Efes dhe që janë besnikë në Krishtin Jezus:
2 hir mbi ju dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht!
3 I bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, ai që na bekoi me çdo bekim frymëror në vendet qiellore në Krishtin,
4 ashtu si na zgjodhi në të përpara themelimit të botës, që ne të jemi të shenjtë dhe të patëmetë përballë tij, në dashuri,
5 duke na paracaktuar për birësim nëpërmjet Jezu Krishtit për veten e vet, sipas pëlqimit të vullnetit të tij,
6 për lavdërim të lavdisë së hirit të tij, të cilin na e dha hirësisht në të Dashurin;
7 në të cilin kemi shpengimin nëpërmjet gjakut të tij, faljen e shkeljeve, sipas pasurisë së hirit të tij,
8 të cilin e bëri të teprojë ndaj nesh, në çdo urtësi dhe mençuri,
9 duke na bërë të njohur misterin e vullnetit të tij, sipas pëlqimit të tij, të cilin e përcaktoi në Krishtin
10 për administrim të plotësisë së kohëve, që t'i përmbledhë të gjitha gjërat në Krishtin: ato në qiej dhe ato mbi tokë, në të;
11 në të cilin edhe na ra shorti, duke u paracaktuar sipas qëllimit të atij që i vë në veprim të gjitha sipas këshillës së vullnetit të tij,
12 që ne të jemi për lavdërim të lavdisë së tij, ne që kemi shpresuar përpara në Krishtin;
13 në të cilin edhe ju, kur dëgjuat fjalën e së vërtetës (ungjillin e shpëtimit tuaj) dhe kur besuat në Krishtin, u vulosët me Frymën e Shenjtë të premtimit,
14 i cili është kapar i trashëgimisë sonë, për shpengim të zotërimit të Perëndisë, për lavdërim të lavdisë së tij.
15 Për këtë arsye edhe unë, duke dëgjuar lidhur me besimin tuaj në Zotin Jezus dhe për dashurinë që keni ndaj të gjithë shenjtorëve,
16 nuk resht duke falënderuar për ju, duke ju përmendur në lutjet e mia:
17 që Perëndia i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i lavdisë, t'ju japë frymë urtësie dhe zbulese në njohjen e plotë të tij,
18 që ju (duke i pasur sytë e zemrës suaj të ndriçuar) ta dini se cila është shpresa e thirrjes së tij, cila është pasuria e lavdisë së trashëgimisë së tij në shenjtorët
19 dhe cila është madhështia e pamasë e fuqisë së tij ndaj nesh që besojmë, sipas veprueshmërisë së pushtetit të forcës së tij,
20 të cilën e ka vënë në veprim në Krishtin kur e ngjalli prej të vdekurve dhe kur e uli në të djathtë të vet në vendet qiellore,
21 përmbi çdo parí dhe pushtet, dhe fuqi, dhe zotërim, dhe çdo titull që përmendet jo vetëm në këtë epokë, por edhe në atë që vjen;
22 dhe të gjitha ia nënshtroi nën këmbët e tij, dhe atë vetë ia dha për krye përmbi të gjitha gjërat kishës,
23 e cila është trupi i tij, plotësia e atij që i plotëson të gjithat në të gjitha.
Të gjithë librat
